Tregu rajonal, vështirë i suksesshëm pa strategji të mirëfillta

Prishtinë | 24 Qer 2017 | 12:06 | Nga

Konfindustria vlerëson, se nisma e fundit e Bashkimit Evropian për krijimin e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, që do të shqyrtohet në takimin e nivelit të lartë në muajin korrik 2017 në Trieste-Itali, është e vështirë të jetë e suksesshme pa ndërtimin e strategjive të mirë studiuara mbështetur në kushtet e sotme ekonomike, politike dhe institucionale të ngjashme dhe të ndryshme të secilit vend të Rajonit.

Nisma të ngjashme pararendëse në planin historik kanë qenë të pasuksesshme. P.sh CEFTA/Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të konsiderohet pothuajse e dështuar. CEFTA është një marrëveshje e ideuar dhe mbështetur gjithashtu nga BE-ja dhe ka hyrë në fuqi prej më shumë se 10 vitesh.

Krijimi i Tregut Rajonal nuk duhet konceptuar si mundësi për luftë tregtare dhe ekonomike ndërmjet industrive vendore të Ballkanit Perëndimor me të ngjashmet e prodhimeve dhe shërbimeve të tyre nga vendet e BE-së, në kushte me të përshtatshme për këto të fundit.

Praktikisht i pamundur krijimi i tregut të përbashkët rajonal pa marrjen e një sinjali të qartë kohor, qoftë edhe të përafërt, për anëtarësimin e vendeve përkatëse në BE, shoqëruar me një program ndihmë të rëndësishëm investimesh ne infrastrukturë, ekonomi dhe krijim institucionesh publike profesionale, që do të kenë parasysh ndryshimet dhe pabarazitë e sotme të ndjeshme ndërmjet vendeve të Rajonit.

Konkurrenca në prodhime dhe shërbime duhet te jetë e barabartë ndërmjet edhe brenda vendeve anëtare të Tregut Rajonal, që sot kanë shkallë të ndryshme zhvillimi ekonomik, infrastrukturore dhe institucionale.

Në rast të kundërt rrezikohet seriozisht dështimi i nismës të mirëpritur të krijimit të Tregut Rajonal të Ballkanit Perëndimor.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme