Trump për vrasjen e Khashoggit: Maskimi më i keq në histori

Prishtinë | 24 Tet 2018 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën revokimin e vizave për shtetasit sauditë të përfshirë në vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, teksa presidenti Donald Trump ironizoi përgjigjen e mbretërisë arabe si “maskimi më i keq në histori”.

Lëvizja erdhi pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se vrasja e Khashoggit brenda Konsullatës saudite në Stamboll ishte planifikuar me përpikmëri qysh më herët, në një fjalim që la në hije forumin e investimeve në Rijad, transmeton tch.

Udhëheqësit sauditë mohojnë përfshirjen në vrasje, duke e zbritur përgjegjësinë më poshtë në zinxhirin e komandës.

“Princi i kurorës, Mohammed bin Salman më tha me vendosmëri se nuk kishte të bënte fare me këtë ngjarje, e cila duket të jetë organizuar nga njerëz të një niveli më të ulët”, deklaroi Trump, duke shtuar se kishte folur gjatë së hënës me princin dhe me të atin e tij, Mbretin Salman.

Trump tha më tej se sauditët kishin pasur një “koncept shumë të keq dhe unik” në vrasjen e 59-vjeçarit saudit, dikur informator e që ishte kthyer në kritik të ashpër të regjimit.

“Vrasja u krye në mënyrë mjerane dhe maskimi ishte një nga më të këqinjtë në historinë e fshehjes së rasteve të rënda”, tha presidenti i SHBA. “Ishte një fiasko totale, – shtoi më tej ai. – Mund të them se ata nuk duhet ta kishin menduar kurrë këtë gjë, por edhe pse e çuan në mendje diçka të tillë, gjithçka bënë ishte shumë e keqe. Kjo gjë nuk duhej të kishte ndodhur”.

I përballur me thirrje gjithnjë e më të shumta për masa të ashpra nga ligjvënësit amerikanë të të gjithë spektrit politik, Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte identifikuar 21 sauditë, vizat për të cilët ose ishin revokuar, ose janë shpallur të papërshtatshëm për të siguruar viza në të ardhmen.

“Këto penalitete nuk do të jenë fjala e fundit mbi këtë çështje nga Shtetet e Bashkuara”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. “Ne po ua bëjmë të qartë se SHBA nuk e tolerojnë këtë lloj veprimi, apo heshtjen e gazetarit Khashoggit përmes dhunës”, tha ai.

Kryediplomati amerikan tha se të dyshuarit sauditë vinin nga “shërbimet informative, gjykata mbretërore, Ministria e Jashtme dhe dikastere të tjera qeveritare saudite”. Pompeo shtoi se SHBA po shqyrtojnë edhe mundësinë e ndërmarrjes së sanksioneve financiare ndaj individëve të përfshirë në vdekjen e Khashoggit.

Lexo edhe:

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme