Trump: Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje

Prishtinë | 15 Tet 2018 | 12:51 | Nga Ekonomia Online

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë në një intervistë televizive se beson që homologu i tij rus, Vladimir Putin “ndoshta” është përfshirë në vrasje dhe ka pohuar sërish se Moska ka ndërhyrë në politikën amerikane.

Trump po ashtu ka thënë se nuk e di nëse Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis është duke planifikuar të dorëhiqet, mirëpo se ai e konsideron gjeneralin si “lloj të demokratit” dhe se ai mund të largohet.

Ai i ka bërë këto komente në një intervistë të realizuar paraprakisht për emisionin televiziv 60 Minuta në CBS, e cila është transmetuar më 14 tetor.

Në mesin e çështjeve që ai ka përmendur janë edhe Koreja Veriore, përpjekjet e shpëtimit pas uraganit në SHBA,zhdukja e gazetarit saudit në Turqi, Jamal Khashoggi dhe ndryshimet klimatike.

Kur prezantuesja e CBS-së, Lesley Stahl, e ka pyetur Trumpin nëse pajtohet me njerëzit që pretendojnë se Putin ka qenë i përfshirë në vrasjet e kritikëve, ai është përgjigjur, “ndoshta po. Ndoshta”.

Nuk është bërë e qartë se në cilat vrasje Trump ka dyshuar se ka qenë i përfshirë Putini, ndonëse shumë kritikë të liderit rus janë vrarë përmes helmimeve të dyshuara dhe të tjerë në kushte të mistershme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme