U vra në lokalin e tij, kush ishte biznesmeni 50-vjeçar: Baba i 4 fëmijëve e me dy bashkëshorte

Prishtinë | 21 Pri 2023 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Ekzekutimi i biznesmenit Ardian Nikulaj pasditen e 19 prillit në lokalin e tij në Shëngjin ka tronditur vendin. Ai ishte një personazh i njohur në biznes dhe në politikë.

Ai dispononte disa biznese, përfshirë bar-restorant “Coral”-in ku e ekzekutuan. Nikulaj në 2021 ishte kandidat për deputet nën siglën e Partisë Social-Demokrate me kryetar Tom Doshin. Prej 2019-ës ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës dhe rikandidonte sërish për në këshill në zgjedhjet e 14 Majit. Më herët ka mbajtur disa poste në administratën lokale si drejtor i OSHEE-së dhe ALUIZNIT.

Ardian Nikulaj njihej dhe si Ardian Marku. 50-vjeçari kishte ndërruar mbiemrin.

Së fundmi ai lëvizte me makinë të blinduar për shkak se dy herë më parë është përfolur për atentate të dështuara ndaj tij. Gjithashtu për shkak të Hasmërisë me fisin Palaj pasi në vitin 1999. Ardian Nikulajt i kanë vrarë vëllanë dhe disa vite më pas nga Palajt janë vrarë dy anëtarë të familjes. Biznesmeni rezulton i dënuar për disa vepra penale më herët. Ai ka qenë i dënuar me 4 muaj burg, për prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municioneve dhe për ‘armëmbajtje pa leje’. Po kështu ka qenë i dënuar në vitin 2003, dënim të cilin e ka deklaruar edhe në formularin e dekriminalizimit.

Ndërkohë që në vitin 2006 është dënuar me gjobë për kontrabandë mallrash dhe falsifikim dokumentesh.

Biznesmeni është përcjellë sot në banesën e fundit. 50-vjeçari ishte i martuar dhe babai i 4 fëmijëve. Por ajo që bie në sy është fakti se Ardian Nikulaj kishte dy gra. Kjo gjë thuhet dhe në njoftimin e vdekjes dhe të ceremoninë mortore, ku shkruhet ndër të tjera: “bashkëshorti i Rudinës dhe i Verës”. Fakt që pohohet dhe nga banorët e zonës.

Të ngjashme