Ulet numri i nxënësve shqiptarë në shkollat e Tetovës

Prishtinë | 25 Dhj 2023 | 19:17 | Nga Ekonomia Online

Mbi 500 nxënës më pak u regjistruan në shkollat fillore dhe të mesme shqipe në Tetovë në vitin 2023/24, krahasuar me dy vite më herët, raporton teve1.info

Udhëheqësi për veprimtari publike në Tetovë, Nazmi Dauti, tha se problemi kryesor është që qytetarët po emigrojnë nga Maqedonia e Veriut për një jetë më të mirë në perëndim.

“Është problematike shpërngulja e nxënësve në Maqedoni ku shumica largohen kinse për kushte më të mira ekonomike por nuk është ky vetëm problemi, mënyra e funksionimit të të gjitha institucioneve që përfshinë Republikën ka bërë që qytetarët të largohen për në vendet perëndimore. Është vendim i prindërve që të largohen nga Republika e Maqedonisë që në qoftë se prindërit e marrin dhe fëmijët e tyre ku marrin edhe fletëshpërnguljet nga shkollat tona”, tha Dauti.

Aduti tha se një ndër problemet tjera është edhe mungesa e librave shkollor në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave shqipe, ku sipas tij, ende nxënësit nuk janë pajisur me libra.

“Tjetër problematikë është ku kemi mungesën e librave në shkollat tona në Tetovë ku kemi 12 shkolla fillore dhe 5 të mesme kemi mungesë të librave, mbi 40 mijë libra edhe pse nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës çdo herë thuhet që do të sigurohen ata libra por jemi në përfundim të gjysëmvjetorit të parë dhe në shkollat tona ende vazhdon mungesa e teksteve shkollore që është elementi bazë për mbarëvajtjen e procesit edukativo-arsimor”, tha ai.

Dauti tha se ka kërkuar disa herë përgjigje nga Ministria për vonesën e pajisjes me tekste shkollore, por sipas tij, përgjigja gjithmonë ka qenë se është në proces një gjë e tillë.

Po ashtu, Dauti u shpreh se në Maqedoninë e Veriut me Ligj është e rregulluar forma e shpërndarjes së teksteve shkollore, ku të drejtën e pajisjes së nxënësve me libra e ka vetëm Ministria dhe jo Komuna e as prindërit.

Dauti tha se këtë vit në shkollat fillore janë regjistruar 992 nxënës derisa krahasuar me dy vite më parë janë regjistruar 135 nxënës më pak, ndërsa në shkollat e mesme sipas tij janë regjistruar 1195 nxënës apo 405 më pak krahasuar me dy vite më parë apo 7 paralele me nxënës më pak.

Të ngjashme