Valdete Idrizi: Mitovica do të ketë transport të organizuar urban

Mitrovicë | 15 Tet 2017 | 12:57 | Nga

Kandidatja e PDK-së për kryetare të Komunës së Mitrovicës, Valdete Idrizi, është zotuar se në mandatin e saj do të organizohet transporti urban dhe do të eleminohen problemet e trafikut. Për këtë dhe tema tjera me rëndësi, ajo ka folur në takimet që ka zhvilluar në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, me qytetarë në Bajr, Zhabar, “2 Korrik”, Iliridë, Vidimriç etj.

Ajo ka thënë se plani urbanistik që është miratuar, nuk është një plan për zhvillimin e Mitrovicës, por është një plan për leje ndërtimi dhe për troje ndertesash në Mitrovicë. “Në konceptin tonë modern, plani i zhvillimit nuk mund të jetë vetëm një plan për të përcaktuar lejet e ndërtimit. Ndaj dhe do të ndërtojmë një model të qartë për zhvillimin e Mitrovicës, një model që do të gërshetojë zhvillimin ekonomik me atë urban duke orientuar zhvillimin e qytetit drejt periferisë”.

Sipas saj, do të punohet edhe në zhvillimin e transportit urban dhe rregullimin e trafikut. Në këtë kuadër ajo përmendi projekte konkrete, si rehabilitimi i rrugës (zgjerimi) në hyrje të Mitrovicës hyrja nga zona industriale deri te rrethi te xhamia, mandej korrigjimi i infrastrukturës ligjore për qëllim të funksionalizimit të ndërmarrjes së trafikut urban. “Do të formohet ndërmarrja komunale për transport urban dhe funksionalizimi i saj. Funksionalizimi i linjave të transportit urban, urbano-periferik dhe qytet-fshatra”.

Duke folur për trafikun urban dhe çështjet që lidhen më këtë aspekt, ajo tha se planifikohet të ndërtohen garazhe në secilën hyrje drejtë qytetit, në mënyrë që të eleminohet ngarkesa e madhe në qendër. “Në këtë kontekst kemi planifikuar që krahas rehabilitimit të ambientit, në zonën industriale të kombinatit “Trepça”, të bëhet plani urban i kësaj pjese, së bashku me një pjesë të fshatit Zasellë dhe Shupkovc, zonë në të cilën mendojmë të planifikohet edhe ndërtimi i garazheve në periferi të qytetit.

Zonë tjetër që duhet të t’i nënshtrohet këtij plani, është edhe zona e Shipolit, dhe një pjesë të fshatit Lushtë, që është edhe hyrja tjetër e qytetit, ku po ashtu mendojmë të planifikohet ndërtimi i garazheve”.

Sipas saj, me ndërtimin e këtyre garazhave, hapet rrugë për rifunksionalizimin e ndërmarrjes për transport publik dhe krejt kjo në shërbim të rregullimit të trafikut në qytet dhe shmangies së tollovive dhe ndotjes urbane. Në takimet që ka zhvilluar në zonë të ndryshme të qytetit, Idrizi ka shpalosur edhe detaje tjera të programit katërvjeçar për qeverisje në Mitrovicë, si çështja e legalizimit të ndërtimeve pa leje, organizimin e mirëmbajtjes së ndërtesave kolektive etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme