Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Kosova është pjesë e Serbisë “sipas Kushtetutës dhe drejtësisë së Zotit”, duke u bërë thirrje oficerëve të rinj të Ushtrisë së Serbisë që ta mbrojnë atë që ai e quajti “shenjtëri”.
Vuçiqi i bëri këto komente të shtunën ceremonisë së promovimit të gjeneratës më të re të oficerëve të Ushtrisë së Serbisë.
“Ajo për të cilën u betuat sot është respektimi i Kushtetutës dhe ruajtja e integritetit territorial të Serbisë. E di se me çfarë presionesh do të përballeni, si ju ashtu edhe udhëheqja politike. Nuk kemi asgjë më të shenjtë dhe më të rëndësishme. Kosova është pjesë e atdheut tonë, pjesë e Serbisë, sipas Kushtetutës dhe sipas drejtësisë së Zotit. Këtë duhet ta kujtojmë dhe ta mbrojmë, pa prekur askënd, pa sulmuar askënd dhe pa kërcënuar askënd, por gjithmonë duke qenë të vetvetes”, ka thënë Vuçiq, transmeton “N1”.
Ai pretendoi gjithashtu se në rajon po krijohen aleanca ushtarake kundër Serbisë, duke aluduar te marrëveshja mes Kroacisë, Shqipërisë e Kosovës.
“I kemi kuptuar ato mesazhe dhe kemi filluar të sigurojmë për ushtrinë tonë pajisjet më të mira dhe më moderne”, u shpreh presidenti serb.