Vendimi i Qeverisë shkel rëndë Kushtetutën dhe demokracinë, e zhvesh Kuvendin…

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 01:10 | Nga Dastid Pallaska

Prej që u raportua në media se Qeveria me vendim e paska kufizuar lirinë e lëvizjes në nivel vendi, disa herë i hapa ueb faqet e Qeverisë dhe Gazetës Zyrtare për të parë nëse vendimi është publikuar.

Deri më tani vendimi i Qeverisë nuk është publikuar. Me sa pash mediat kanë publikuar një propozim vendim.

Nëse vendimi është ende vetëm propozim, anëtarët e Qeverisë duhet ta dijnë që propozimi shkelë rëndë jo vetëm Kushtetutën por edhe demokracinë në vend. Kjo për shkak se zhvesh Kuvendin – dhe me të edhe sovranin – nga e drejta e patjetërsueshme kushtetuese që të vendosë për kufizim të të drejtave dhe lirive kushtetuese në nivel vendi.

Përderisa Qeveria e ka të drejtën ligjore për të (i) izoluar të infektuarit; (ii) vendosur në karantinë personat që kanë pasur apo dyshohet se kanë pasur kontakt me të infektuarit; dhe (iii) të ndalojë qarkullimin në zonat e infektuara dhe zonat e rrezikuara nga infektimi, kjo – nën asnjë rrethanë – nuk i jep Qeverisë të drejtën kushtetuese që të kufizojë lirinë e lëvizjes në nivel vendi dhe në mënyrë të përgjithësuar, siç raportohet se ka bërë Qeveria në këtë rast. Kjo për shkak se kjo e drejtë kushtetuese i takon vetëm Kuvendit të Kosovës.

Në lidhje me këtë është me rëndësi të theksohet që edhe e drejta e Kuvendit për të kufizuar lirinë e lëvizjes nuk është absolute. Ky vendim duhet të arsyetohet, të jetë proporcional dhe, çka është më me rëndësi, duhet të jetë i kufizuar në kohë. Propozim vendimi i Qeverisë i shkelë rëndë edhe këto tri kërkesa kushtetuese.

Pavarësisht vrazhdësisë së shkeljeve kushtetuese në rast se Qeveria përnjëmend e ka aprovuar këtë vendim, Presidenti nuk e ka të drejtën kushtetuese që vetë ta anulojë apo ta shpallë pa efekt juridik këtë vendim.

Në rast se propozim vendimi është aprovuar, Presidenti duhet që vendimin e Qeverisë ta paraqes për vlerësim kushtetues para Gjykatës Kushtetuese me kërkesën që vendimi të anulohet si kundër-kushtetues. Po ashtu, për të parandaluar shkeljen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe konfuzionin institucional deri në vendimin meritor të Gjykatës Kushtetuese, Presidenti duhet të kërkojë edhe pezullimin e menjëhershëm të vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese duhet të vendos së paku për kërkesën për pezullim të vendimit brenda 24 orëve, sa është edhe afati për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Të ngjashme