Veseli takon përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare – u kërkon më shumë punë

Prishtinë | 22 Mar 2018 | 15:56 | Nga

Një ditë pas ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli ka mbledhur në takim përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare nga të cilët ka kërkuar të punojnë më shumë për të përfunduar të gjitha projektligjet që aktualisht ndodhen në procedura parlamentare.

Veseli tha gjatë këtij takimi se Kosova nuk ka kohë për të humbur dhe deputetët duhet të punojnë më shumë në shqyrtimin dhe procedimin e të gjitha projektligjeve që lidhen me Agjendën Evropiane të Reformave.

“Është përgjegjësi e të gjithë deputetëve pa dallime politike që të kryjnë obligimet e tyre dhe të punojnë më shumë në interes të qytetarëve. Ftoj të gjithë deputetët të jenë më aktiv në punën e tyre në Komisione Parlamentare për të procesuar në seancë projektligjet që ndodhen tash e disa javë nëpër procesura të Komisioneve”, tha Kryeparlamentari Veseli.

Ai tha se Kuvendi duhet ti kthehet funksionalitetit të plotë dhe deputetët duhet të dinamizojnë punën e tyre.

Aktualisht, më së shumti projektligje (15) ndodhen në shqyrtim në Komisionin për Legjislacion që udhëhiqet nga deputetja Albulena Haxhiu.

Më tej, kryeparlamentari qartësoi se 7 projektligje  (prej tyre 3 marrëveshje ndërkombëtare), janë në procedurën e shqyrtimit në seancë plenare, 2 projektligje të gatshme për shqyrtim të dytë në seancë plenare, 29 projektligje janë të miratuara në parim dhe gjenden në procedurën e shqyrtimit në komisione parlamentare, 10 projektligje, për mendim në Qeveri, të cilat pritet të procedohen nga Kryesia e Kuvendit.

Kryetarët e komisioneve pasi raportuan për gjendjen e projektligjeve në procedurat e shqyrtimit të tyre thanë se shumica nga projektligjet do të procedohen në harmoni me afatin e paraparë sipas Rregullores së Kuvendit.

Ata po ashtu u zotuan për një efikasitet edhe më të shtuar lidhur me projektligjet që kanë të bëjnë me agjendën e integrimeve.

Ndryshe, në takimin e kryeparlamentarit Veselit me përfaqësuesit e Komisioneve Parlamentare nuk ishin të pranishëm asnjë deputet i opozitës të cilët udhëheqin Komisionet Parlamentare dhe kanë shumë projektligje në shqyrtim.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme