Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me aktivistët e Lëvizjes mbajtën homazhe në 6 vjetorin e ndarjes nga jeta të aktivistit Arbënor Dehari.
“Sot Arbënori do të kishte qenë 35 vjeçar me plot angazhim e përkushtim, mendim dhe entuziazëm për vetëvendosjen e popullit tonë, për barazi shoqërore dhe për zhvillim ekonomik. Arbënori mishëronte modelin e aktivistit që veprimin politik nuk e shihte si një akt spontan të izoluar, por si rezultat dhe kulmim të një pune organizative”, thuhet në postimin e Vetëvendosjes në Facebook.
“Veprimi politik për të ishte shpallja publike e ekzistencës së mrekullueshme të një kolektivi politik barazitar që e mundëson veprimin. Kjo e mbante Arbënorin jo në akte politike të izoluara dhe individualiste, por në një lëvizje permanente kolektive. Aktivisti është i tillë vetëm për sa është me të tjerë aktivistë. Kjo bindje e Arbënorit është bindja jonë dhe kjo e mban atë të pandashëm prej nesh dhe kujtimi i tij na mban edhe ne po ashtu”.