Vetëvrasja politike e Albin Kurtit!

Prishtinë | 23 Jan 2023 | 21:36 | Nga Kimete Berisha

A çohet i vetëvrari? Kryesisht jo, por….
Nganjëherë çohet.

E, vetëvrasja mund të quhet ‘vdekje e lirë’, prandaj kur e zgjedh fundin, pse e zgjedh fundin e turpshëm, kur mund ta zgjedhësh një fund të lumtur!

Edhe sikur krejt armiqtë e botës të ishin bërë bashkë kundër tij – nuk do të mund t’ia bënin më keq se sa që kryemininistri Kurti ia bëri vetes!

Albin Kurti ka bërë vetëvrasje politike. Veç kush nuk beson ‘në vdekje’ nuk e kupton se ‘asgjë më nuk mund të jetë njësoj’ pas vetëvrasjes!

Politika e tij është e vdekur.
Dhe ky fund ndodhi në mënyrën më simbolike: Duke i mohuar viktimat e Oliver Ivanoviçit – ‘e vrau veten politikisht’!

Por ka mbetur politikë e pavarrosur. Derisa të binden se pa u bërë kijameti nuk mund të kthehesh më në jetë!!

Viktimat shqiptare të shtetit serb që edhe më tutje shkojnë pas Albin Kurtit, çka mendojnë ato?
Që ato janë viktima të mira, e ne të Mitrovicës e kemi merituar të jemi viktima?

A ishte vetëvrasja politike e Albin Kurtit një vendim personal!
Jo. Nuk ishte.
Sepse, sikur të ishte vendim, sikur Albin Kurti të ishte vetëvrarë politiikisht nga depresioni apo nga pakënaqësia – nuk do të vazhdonte të shfrytëzonte dheun e familjes Jashari për të mbuluar viktimat e vrasësit të tij të preferuar- Oliver Ivanoviçit.

Ky çfarë do bën me viktima.
Më së shumti i shfrytëzon.
Dhe i urren.
Sa shumë i urren viktimat dhe ata që kërkojnë shpëtim!
S’ka gjë që urren më shumë se viktimat dhe pafuqinë.

Ky aq shumë e do forcën – por askush nuk ia jep!

Atëherë, pse u vetëvra politiikisht pa qenë i gatshëm t’i jap fund karrierës politike!
Si mund të udhëheq Kosovën një i vetëvrarë politikisht!
Çka lyp ky tash?
Lyp hundëlesh – dikë që do ta nxirrte nga qeveria dhe kështu do ta bënte të dukej si vetëvrasës i penduar politik, që ka menduar se di ta vras veten mjaftueshëm sa për të mbetur gjallë.

Pas ndarjes së popullit dhe politikës kriminale që nuk i lë dy gurë bashkë, kryeministri i ka ndarë edhe viktimat e luftës, në: viktima të arsyeshme
dhe viktima të paarsyeshme – siç i konsideron të paarsyeshme viktimat shqiptare të Oliver Ivanoviçit.

Kryetari i Skënderajit nuk është dashur ta pranojë në takim, as të kërkojë ndihmë për viktimat e vërshimeve nga një kryeministēr që i mohon viktimat e masakruara dhe e lavdëron vrasësin e tyre;

Kryetari i Mitrovicës nuk është dashur ta pranojë në takim një kryeministër që e madhëroi vrasësin e shqiptarëve të Mitrovicës.

Kushdo që e pranon në takim – ia miraton adhurimin dhe dashurinë monstruoze për vrasësin e shqiptarëve.

Familja Jashari do të duhej t’ia ndalojnë Albin Kurtin t’i shfrytëzojë anëtarët tragjik të kësaj familje për t’i mbuluar krimet e tij të sëmura!

Kushdo që i thotë ‘mirëdita’ Albin Kurtit – pajtohet me morbiditetin e tij, pajtohet me deklaratën e tij më famëkeqe në historinë shqiptare.

Sot në protestë, fëmijët e dëshmorëve kërkonin vetëm ‘kërkim-falje’ nga Albin Kurti.
Shumë gjynah. Sepse kërkojnë kaq pak.

‘Unë Albin Kurti u kërkojë falje që kam kujtuar se Oliver Ivanoviç ka vepruar në mënyrë të sinqertë dhe të mençur kur i ka vrarë prindërit tuaj’.

E shihni se kjo kërkim – falja s’ka logjikë!
Edhe vrasësi mund t’u kërkojë falje viktimave të veta – por ai që e lavdëron vrasësin nuk ka se si të kërkojë falje – nëse nuk është edhe vetë vrasës.

Sepse, veç një vrasës mund të flas fjalë të mira dhe madhështore për një vrasës.

Pasi që e shprehu sadizmin e madh ndaj të vrarëve e të masakruarve, Albin Kurti me kravatë shkoi në Mitrovicë.
Tha se janë bashkuar Ibri me Sitnicën dhe janë bërë liqe.

Kështu ka qejf ai.
Që kufiri i Ri të duket natyror – bashkimi i lumenjëve dhe shndërrimi i tyre në liqe – të duket natyror.
Dhe, të gjithë ata që kurrë nuk kanë parë vërshime – pa shi (siç ndodhi kur ca pika shiu i bashkuan lumenjtë), të ndjehen budallenjë!

Përveç me zjarr, Albin Kurti po luan me ujë.
Askush nuk po tregon ‘kush ia hapi derën ujit’!

P.S. When God desires to destroy a thing, he entrusts its destruction to the thing itself. Every bad institution of this world ends by suicide ~~ Victor Hugo

Të ngjashme