Vllahoviq i reagon pushtetit në Mal të Zi: Shteti fqinj s’quhet “Kosovë e Metohi”

Prishtinë | 23 Mar 2022 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi dhe ambasadori i Malit të Zi në Washington, Miodrag Vllahoviq, ka kritikuar ministrin aktual të Jashtëm të këtij shteti, George Raduloviq, që iu referua Kosovës me termin “Kosovë e Metohi”.

Teksa komentonte vendimin e Kosovës dhe të Malit të Zi për të mos lejuar serbët lokalë të votojnë brenda këtyre territoreve për zgjedhjet e Serbisë, Raduloviq në deklaratë Kosovës iu drejtua me termin për të cilin Vllahoviq e ka cilësuar si “diplomaci teletabis”.

Raduloviq ishte shprehur pro që të organizohen në Mal të Zi zgjedhjet e Serbisë, teksa ka shtuar se nga përfaqësues serbë arsyetimi për t’i lejuar zgjedhjet në Mal të Zi ka qenë për “të zhvendosurit e shumtë nga ‘Kosova dhe Metohia’”.

Në reagimin e tij, Vllahoviq deklaratën e ka cilësuar produkt të injorancës.

“Shkurt: E parregullt dhe në kundërshtim me rregullat diplomatike. I padenjë, produkt i injorancës dhe nënshtrimit politik. Arsyetimi se kjo është bërë edhe më herët nuk vlen, sepse ka qenë gabim edhe më parë. Dhe ky ende thotë ‘Kosovë e Metohi’! Trishtim”, ka shkruar në Twitter Vllahoviq, para se të dilte me tjetër reagim duke thënë se “shteti fqinj nuk quhet ‘Kosovë e Metohi’”.

Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi do të mbahen më 3 prill. Si Kosova, edhe Mali i Zi ka dalë kundër që në territoret e tyre të mbahen zgjedhjet e Serbisë pa leje të shteteve. Të martën, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpalli “situatë të vështirë në Serbi” pas vendimit të Kosovës, ndërsa Bashkimi Evropian shprehu keqardhje për vendimin e autoriteteve të Kosovës.

Të ngjashme