VV i drejtohet Kushtetuese për demarkacionin, s’presin vendim të paanshëm

Prishtinë | 29 Mar 2018 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Shefi i deputetëve të VV-së Glauk Konjufca, pasi ka dorëzuar kërkesën tha se janë të bindur se ka pas shkelje të Kushtetutës.

“Në emër të LVV-së dorëzova kërkesën në Gjykatë Kushtuese për shqyrtimin e marrëveshjes së demarkacionit. LVV është e bindur se ka pas shkelje të Kushtetutës. Shkelja  më e rëndë është  shkelja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës”.

“Ne mendojmë që me këtë vendim deputetët shkelën kushtetutën dhe  miratuan diçka antikushtetuese,  është delimitim në vend të demarkimit, deputetët caktuan kufij të ri, në vend se të ishte shënjim i kufirit ishte caktim i ri i kufirit”.

Konjufca tha se do të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por sipas tij, edhe gjyqësori është i kapur nga politik.

“Gjyqësori është i kapur, edhe Gjykata Kushtetuese nuk bën përjashtim nga gjendja e përgjithshme, ne duam të përmirësojmë institucionet tona”.

Demarkacioni me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës u miratua më 21 mars.

VV e ka kundërshtuar këtë projektligj, ndërsa në seancën ku është miratuar demarkacioni është hedhur edhe gaz lotsjellës.

Të ngjashme