VV partia që u dënua më së shumti gjatë fushatës, mbi 200 mijë euro gjoba

Prishtinë | 08 Shk 2025 | 16:39 | Nga Ekonomia Online

Demokracia në Veprim (DnV) sot ka mbajtur konferencën e radhës ku tregoi mbarëvajtjen e 30 ditëve të fushatës zgjedhore, raporton Ekonomia Online.

Mes tjerash, DnV ka treguar se PZAP ka shqiptuar gjithsej 654 mijë e 500 gjoba për partitë politike që kanë shkelur Kodin e Etikës.

Partia që është dënuar më së shumti, është Lëvizja Vetëvendosje me 202 mijë e 500 euro gjoba.

“Gjatë këtyre 30 ditëve të fushatës deri më tani, PZAP ka nxjerr gjithsej 222 vendime sa i përket ankesave për shkelje të rregullave të fushatës zgjedhore, prej të cilave 125 kanë qenë vendime aprovuese dhe 97 vendime refuzuese. Lidhur me vendimet dënuese PZAP ka shqiptuar në total 654,500 euro gjoba për subjektet politike që kanë kryer shkelje ligjore të Kodit të Etikes. Këto gjoba janë shqiptuar kryesisht për shkak të shkeljeve lidhur me gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes, përdorim të resurseve publike, për vendosje të materialit zgjedhor në hapësira publike, përdorim të fëmijëve në fushatë zgjedhore dhe pengim të gazetarëve. LVV është dënuar 202 mijë e 500 euro gjobë, PDK me 143 mijë e 500 euro gjobë, LDK me 141 mijë e 600 euro gjobë, AAK-NISMA me 81 mijë e 200 euro gjobë, Koalicioni për familjen me 33 mijë euro gjobë, Lista Serbe me 21 mijë e 500 euro gjobë, PLE-Partia Liberale Egjiptiane me 3000 mijë euro gjobë, SRB Demokratija me 12 mijë euro gjobë, Partia Kosovksi SRBA me 7 mijë e 200 euro gjobë, Za Slobodno Pravnu i Opstanak- N.Rashiq me 3 mijë e 500 euro gjobë, Nova Stranka me 1 mijë 500 euro gjobë, IRDK me 1 mijë e 500 euro gjobë, Partia e Ashkalinjëve për Integrim me 1000 euro gjobë dhe Koalicioni VAKAT me 1, 500 euro gjobë.

Sa i përket sigurisë, policia është kujdesur për mbi 70% të aktiviteteve të fushatës. Këtë javë, është shënuar një rast i pengimit të mediave në raportim të procesit zgjedhor, për çka edhe është shqiptuar gjobë nga PZAP-ja për Lëvizjen Vetëvendosje” – është thënë gjatë konferencës.

Të ngjashme