Xhabir Zharku pas një jave mund të kthehet i lirë në Kosovë

Prishtinë | 28 Pri 2018 | 09:11 | Nga

Ish-kryetari i Kaçanikut, Xhabir Zharku, prej 8 majit të këtij viti, mund të kthehet i lirë në Kosovë dhe dënimi me burgim ndaj tij nuk do të mund të ekzekutohet më, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Kanë mbetur vetëm edhe pak ditë dhe ish-kryetari i Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, mund të vijë e të pijë kafe lirshëm në Kosovë pa frikën se mund të arrestohet nga autoritetet dhe të përfundojë në burg. Kjo për faktin se në fillim të muajit të ardhshëm bëhen 6 vjet nga koha e plotfuqishmërisë së dënimit të tij prej tre vjetësh heqje lirie nga Gjykata Supreme e Kosovës, me ç’rast ekzekutimi i dënimit kundër tij arrin parashkrimin absolut dhe organet e drejtësisë nuk kanë më asnjë të drejtë në ndjekjen e tij.

Më 21 prill 2011, Gjykata e Qarkut në Prishtinë e kishte shpallur Xhabir Zharkun fajtor për kryerjen e veprave penale “Të detyrimit” dhe “Të posedimit të paligjshëm të armës”. Ai ishte dënuar me tre vjet burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1,500 eurosh. Çështja kishte të bënte me një rast të vitit 2006, kur ishte privatizuar nga ish-AKM-ja një fermë e deleve në fshatin Rakaj, të Ferizajt. Sipas Prokurorisë, të dëmtuarit në këtë rast, Xhelil dhe Emrush Suma, kishin qenë fitues të tenderit si ofertues të parë. Mirëpo pas kërcënimeve nga të akuzuarit në fjalë, fituesit ishin detyruar të tërhiqeshin për ta fituar atë tani i dënuari Arsim Kolshi, i cili kishte qenë ofertuesi i dytë.

Vendimi i shqiptuar ndaj Zharkut u vërtetua nga Gjykata Supreme e Kosovës më 8 maj 2012.

Gazeta “Zëri” për këtë çështje ka kontaktuar zyrtarë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ndonëse këta nuk kanë pranuar të japin detaje rreth këtij rasti. “Ju njoftoj se kjo çështje penale është në procedurë të ekzekutimit në Zyrën e Sanksioneve Penale në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Dega në Kaçanik”, ka thënë Albënora Bekteshi, zyrtare për informim në këtë Gjykatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme