Xhaçka: Mbështesim krijimin e FAK-ut

Prishtinë | 26 Sht 2017 | 15:03 | Nga

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rustem Berisha ishte homologu i parë që ministrja shqiptare e Mbrojtjes, Olta Xhaçka priti në zyrën e saj këtë të martë.

Ministrja Xhaçka gjatë deklaratës pas takimit u shpreh se aleanca e NATO-s në zbatim të politikës së saj të dyerve të hapura do ta ndihmojë Kosovën që Forcën e Sigurisë ta shndërrojë në Forcë të Armatosur.

“Një Ballkan i integruar në aleancën e NATO-s, nuk do të thotë vetëm një rajon më i sigurtë, por më shumë siguri edhe për vetë aleancën. Prandaj jam e bindur që edhe me ndihmën e vendeve anëtare dhe konform kornizave ligjore forca e sigurisë do të shndërrohet në një forcë të armatosur”, tha Xhaçka.

Edhe ministri kosovar u shpreh se kalimi nga forcë e sigurisë në forcë të armatosur do ta ndihmojë Kosovën që të mos jetë barrë e askujt për sigurinë e saj, por edhe të kontribuojë në rajon e me gjerë.

“Synimi i qeverisë tonë është ta shndërrojmë FSK në forcë të armatosur, pasi dëshirojmë që të mos jemi vetëm barrë e të tjerëve për sigurinë, por edhe të kontribuojmë si të barabartë dhe besimplotë në rajon dhe më gjerë për sigurinë”, deklaroi ministri i Forcës së Sigurisë në Kosovë, Rustem Berisha.

Të ngjashme