Xhemajli i PDK-së i reagon Hotit: Po mashtron, projektet tona po i prezanton të tijat

Prishtinë | 14 Sht 2020 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës i ka reaguar Kryeministrit Avdullah Hoti lidhur me përurimin e një shkolle në Lipjan.

Është deputeti i këtij subjekti, Bajrush Xhemajli i cili i ka kërkuar shefit të Qeverisë, që të mos mburret me projektet e PDK-së, por ta tregojë të vërtetën se nuk ishte iniciator për ndërtimin e shkollës, përcjellë Klan Kosova.

”Kryeministri Avdullah Hoti ka zgjedhur pikërisht ditën e rifillimit të mësimit nëpër shkolla për t’u mburrur me projektet e PDK-së. Në përurimin e shkollës fillore “Haradin Bajrami” në Magurë të Lipjanit, Hoti paska thënë se “ai kishte qenë iniciator i ndërtimit të kësaj shkolle”.

Por, e vërteta është tërësisht ndryshe.

Gurthemelin e kësaj shkolle me 11 nëntor të vitit 2016 e kishte vënë ish-ministri i arsimit nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami. Ishte pikërisht iniciativë dhe premtim i PDK-së, se kjo shkollë do të jetë moderne dhe do të ofrojë kushte të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie, çfarë i ka sot.

PDK-në e gëzon fakti që ky projekt, të cilin e ka nisur dhe është angazhuar shumë për të, tashmë ka përfundur dhe në këtë fillim të ri shkollor, nxënësit e mësimdhënësit do të kenë kushte më të mira për zhvillimin e mësimit.

PDK e kupton edhe mashtrimin e kryeministrit dhe tentimin e tij për përvetësimin e projekteve të tilla, sepse gjatë 100 ditëve të qeverisjes së tij, ai nuk ka as një projekt me të cilin mund të mburret, përveç një numri të madh dështimesh dhe zhgënjimesh”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme