Xhungla ligjore e Kosovës po “pasurohet” me ligje regresive

Prishtinë | 25 Dhj 2023 | 15:18 | Nga Muhamet Spahiu

Duke qenë shtet i ri, kemi nxjerrë ligje dhe kemi krijuar një “xhungël” ligjore. Një veprim të caktuar, një ligj e rregullon, tjetri e ndalon apo sanksionon. Ka një kuptim, sepse shteti u ndërtua sikur me emergjencë. Por sot, pas më shumë se 20 viteve, është e pakuptueshme të nxjerren ligje që na qojnë në regres. Duke pas një ekonomi të brishtë, politikat ekstreme, të djathta apo të majta, janë të rrezikshme dhe mund të kenë pasoja, sepse, sa do që ke nevojë për të mbështetur sektorin privat me qëllim të përshpejtimit të zhvillimit, poashtu kemi buxhet të kufizuar, dhe në përqindje të lartë të destinuar për kategori dhe qështje sociale.

Politikat eksreme të majta dhe me tendencë të kontrollit, çdo ditë e më shumë po e dëmtojnë ekonominë e Kosovës, edhe ashtu të brishtë. Nëse vazhdohet me këto trende, për pak vite, sektori privat do të tkurret, bizneset nuk do të kenë më çfarë të paguajnë për shtetin (do të paguajnë më pak, si pasojë e të hyrave më të ulëta), dhe shteti do të ketë një buxhet simbolik. Shkurt e kjart, ekonomikisht, Kosova po ec mbrapa.

Sikur shumë veprime, së fundi edhe Ligji për Administrimin e Procedurave Tatimore do të kishte rikthyer një nga praktikat më të mira, siç ishte Bordi për Shqyrtimin e Ankesave, i cili do të i siguronte bizneseve një shkallë të dytë të ankesave nga një bord i pavarur. Megjithatë emërimi i këtij bordi nga Ministria e Financave dhe jo nga Kuvendi Kosovës, jep mesazh që ky bord nuk mund të jetë e pavarur, pasi që kontrollohet nga ministri. Pra përveç që nuk është i pavarur, ka tendencë të politizimit të mëtutjëshëm të këtij institucioni.

Gjithashtu, një nga defektet e mëdha të këtij ligji është mospërfshirja e qytetarëve, bizneseve dhe profesionistëve në draftim, që jep mesazh të kontrollimit të mëtutjeshëm dhe cënimit të pavarësisë që ky bord do të duhej ta kishte. Thjesht, praktikat demokratike në draftim të ligjeve, të garantuara me kushtetutë, nuk janë përfillur fare.

Disa nga nenet e këtij ligji, i rregullojnë disa funksione ekonomike të cilat kontribojnë në fiskalizim apo në formalizim ekonomik, megjithatë, nuk duhet anashkaluar faktin që një pjesë e madhe e bizneseve janë të vogla dhe janë burim i vetpunësimit për shumë qytetarë. Përveç kësaj mase ligjore, do të duhej të analizohej edhe fakti i uljes së pragut të TVSH në 30.000, nëse është i shëndetshëm apo i dëmshëm për ekonominë.

Gjithashtu, konsideroj që shumë nga gjobat që i vendos ky ligj, janë të panevojshme, pasi që disa nga veprimet që gjobiten, nuk kanë asnjë ndikim në të hyra.

Qështjet tjera që i trajton ky ligj, kryesisht ka të bëjë me shtimin e kontrollit dhe dënimeve, që jo gjithnjë konsiderohet demokratike dhe të shëndetshme për ekonominë e tregut të lirë, veçanërisht për bizneset e vogla, që gjithnjë operojnë me vështirësi dhe sfida.

Me këtë ligj, obligohen edhe qytetarët që të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet në çdo të hyrë, e cila do të vështirësoj dhe burokratizoj shumë veprime dhe transaksione të qytetarëve, të cilët jo vetëm nuk janë të aftësuar për të deklaruar, por do të ia vështirësoj gjendjen financiare, në kohën kur fuqia blerëse ka rënë, dhe përderisa këto të hyra kanë efekt simbolik në buxhetin e shtetit.

Praktikë e njejtë e kontrollit janë kontrollat e shtuara fizike nga zyrtarët tatimor viteve të fundit, që gjithashtu konsiderohet jo funksionale, sepse veprimet e kundërligjshme gjobiten duke u bazuar në ligje dhe rregullore, por jo duke i bllokuar me muaj të tërë me kontrolla burokratike, që kryesisht manifestohen me ulje të besimit ndaj institucionit, shtetit, dhe që efektet pastaj janë zingjirore, me ndikim veçanërisht në rënje të arkëtimeve nga tatimi.

Qasja ekstremit të majtë konsiderohet negative për faktin që gjithçka po bëhet që shteti të arkëton sa më shumë nga bizneset, pra të ‘mjelen’ sa më shumë, përderisa nuk po bëhet asgjë për biznese apo ekonominë, si qelulën kryesore dhe të vetme e rritjes reale ekonomike.
Pas pandemisë dhe pas luftës në Ukrainë, të bërit biznes është vështirësuar, prandaj shumica e shteteve kanë pako të posaqme për të mbbëshetur bizneset. Përderisa ne në Kosovë, masat apo pakot për subvencionim apo ndihmë të kategorive sociale apo grupeve të ndryshme të qytetarëve, i quajmë masa për mbështetje të ekonomisë, që në të vërtet nuk kanë asnjë ndikim në ekonomi, veqanërisht në sektor privat.

Të ngjashme