Lionel Messi ka ndarë një mesazh emocionues në prag të finales së Kupës së Botës, duke reflektuar mbi rrugëtimin e tij me Argjentinën dhe duke theksuar se kjo skuadër tashmë ka hyrë në histori, pavarësisht rezultatit ndaj Spanjës.
Në moshën 39-vjeçare, finalja e së dielës mund të jetë ndeshja e fundit e Messit në Kupën e Botës, madje edhe paraqitja e tij e fundit me fanellën e Argjentinës. Megjithatë, legjenda argjentinase beson se ky brez tashmë ka lënë gjurmë të pashlyeshme në futboll.
Në një postim në Instagram, Messi vlerësoi bashkëlojtarët dhe stafin teknik për gjithçka kanë kaluar së bashku ndër vite.
“Gjëja më e bukur gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë qenë vetëm trofetë, por i gjithë rrugëtimi. Të ndaj çdo ditë me këtë grup, të garojmë së bashku, të ngrihemi pas momenteve të vështira dhe të shijojmë çdo hap”.
“Faleminderit secilit prej bashkëlojtarëve të mi, stafit teknik dhe të gjithë njerëzve që punojnë çdo ditë për ta mbajtur këtë ekip si një familje”.
“Çfarëdo që të ndodhë në finale, ky grup tashmë ka shkruar një histori që nuk do ta harrojmë kurrë dhe që askush nuk do të mund ta fshijë”.

Vetëm pak muaj më parë nuk ishte e sigurt nëse Messi do të merrte pjesë në këtë Kupë Bote. Ai kishte deklaruar vazhdimisht se do të dëgjonte trupin e tij përpara se të merrte vendimin përfundimtar, ndërsa konfirmimi erdhi vetëm kur Lionel Scaloni publikoi listën përfundimtare të lojtarëve.
Dashuria e Messit për Kombëtaren e Argjentinës është dëshmuar edhe më herët. Në vitin 2016, pas humbjes ndaj Kilit në finalen e Kupës së Amerikës, pikërisht në stadiumin MetLife, ai njoftoi tërheqjen nga kombëtarja, i zhgënjyer nga dështimi për të fituar një trofe.
Megjithatë, mbështetja e jashtëzakonshme nga tifozët argjentinas e bindi të ndryshonte mendje dhe të rikthehej.
Që nga ajo kohë, Messi fitoi Kupën e Amerikës 2021, duke i dhënë fund pritjes 28-vjeçare të Argjentinës për një trofe madhor, ndërsa më pas triumfoi edhe në Kupën e Botës 2022.
Edhe pse shumë menduan se misioni i tij me kombëtaren kishte përfunduar, Messi ka pranuar disa herë se kënaqësia që i jep ky grup lojtarësh e ka bërë të pamundur të largohet.