Në debatin që u zhvillua në Kuvendin e Kosovës rreth Platformës së Dialogut, deputeti i Nismës, Milaim Zeka tha se është turp për Kuvendin që po mban seancë në “Natën e Zjarreve” në kuadër të Epopesë së UÇK-së, raporton Ekonomia Online.
“Kryetari përveç që po nxjerrë xekrra është edhe duke na diskriminuar se si po na jep fjalën me fol. Është turp për Kuvendin me mbajt seancë në natën e flakëve. Deputetët e VV-së dhe LDK-së veç janë duke dashtë me e bë llug. Nëse LDK-ja e ka për qef me bë qeveri teknike atëherë le ta ndezin situatën, të flasin dhe t’i bëjnë 61 vota dhe rrëzohet qeveria, por jo me sabotu, me bojkotu. Unë jam kundër bashkimit të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ”, u shpreh ai.
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, tha se po kërkohet të hiqet taksa, pasi Serbia ka vënë kusht për vazhdimin e dialogut. Ai ka përmendur disa raste me të cilat Kosova nuk e ka kushtëzuar Serbinë.
“Po bëhet presion për heqjen e taksës ndërsa Kosova asnjëherë nuk vendosi kushte për vazhdimin e dialogut, as për njerëzit e pagjetur, as për vrasjen e vëllezërve Bytyqi, as për vrasje të tjera. Kosova nuk e vendosi kusht për zbulimin e vrasjes në rastin Panda, ku u vranë të rinjtë serbë, nga ana tjetër janë torturuar shqiptarët që sot e asaj dite janë neper spitale të psikiatrisë”, tha Haradinaj.
Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 14:30.