Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Dy liderët u takuan për herë të fundit në dhjetor në Palm Beach të Floridës, në resortin Mar-a-Lago të Trumpit, ku diskutuan një plan për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në atë kohë, si Zelensky ashtu edhe Trump deklaruan se një marrëveshje ishte pranë arritjes, por se mbeteshin ende disa çështje kyçe të pazgjidhura.
Para takimit të dhjetorit, dy presidentët ishin takuar në Shtëpinë e Bardhë në tetor të vitit 2025, në një takim që u karakterizua nga tensione të mëdha.
Sipas raportimeve të mediave të asaj kohe, takimi ishte shndërruar në një “përplasje me tone të larta”, ku pala amerikane i kishte bërë thirrje Ukrainës të pranonte kushtet e Rusisë për përfundimin e luftës.
Në një konferencë për media pas takimit, Zelensky bëri të qartë se mes Ukrainës dhe SHBA-së ekzistonin mosmarrëveshje të mëdha për disa çështje.