Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, ka vizituar UBT-në, ku u takua me stafin e institucionit, të udhëhequr nga rektori, Edmond Hajrizi.
Sipas një komunikate nga UBT, rektori Hajrizi e njoftoi Cakollin me punën akademike, të arriturat e studentëve dhe me inovacionet teknologjike të cilat po ndërtohen në UBT dhe që po e afrojnë Kosovën me vendet e tjera të zhvilluara të botës, transmeton Ekonomia Online.
“UBT ka vizion që Kosovën ta rreshtojë ne mesin e vendeve me teknologji të përparuar, andaj në laboratorët tanë të sofistikuar po shpiken e ndërtohen mjete dhe pajisje të cilat nuk kanë ekzistuar më parë në Kosovë”, theksoi Hajrizi, duke shtuar se në këtë po kontribuojnë edhe studentët që janë të pasionuar pas shkencës dhe teknologjisë.
“Ndërkohë, i impresionuar me rritjen dhe të arriturat që ka bërë UBT ndër vite, Cakolli u shpreh se do të jetë mbështetës i fuqishëm i të rinjve që kanë ide, projekte dhe plane konkrete inovative, të cilat do i ndihmojnë Kosovës dhe qytetarëve”, thuhet në komunikatë.