Zëvendësministri Kadriu inspektoi shembjet e rrugëve në Koshare, Kërrninë dhe Balincë

Prishtinë | 08 Mar 2018 | 17:00 | Nga

Zëvendësministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu, inspektoi shembejt e rrugëve në segmntet Botushë-Koshare, Rakosh-Osojan në Kërrninë dhe aksin rrugor Prishtinë-Pejë në Balincë, të cilat kanë ndodhur si pasojë e reshjeve të fundit atmosferike në vend, transmeton Ekonomia Online.

Fillimisht zëvendësministri Kadriu, i shoqëruar edhe nga dy menagjerët rajonal të Gjakovës, ka ndaluar në aksin rrugor Botushë-Koshare, ku ditë më parë ka patur degradim të rrugës.

Kadriu tha se do të ngritet një komision i cili do të inspektojë dhe vlerësojë dëmet e shkaktura si dhe do të rekomandojë masat që duhen ndërmarrë në sanim të këtij segmenti rrugor.

Sipas një komunikatë nga ministria e Infrastrukturës, Kadriu po ashtu tha se ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente dhe se tashmë duhet të ndërtohen rrugë cilësore dhe të standarteve të larta.

“Sot jemi në inspektimin e rrugës Botushë-Koshare, 8.3 kilometra e gjatë, ku ka ndodhur një rrëshqitje e dheut në rrugë, investim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe që ka patur një kosto prej 800 mijë eurosh së bashku me kostot shtesë.

Këto rrëshqitje të dheut po na ndodhin në rrugë të reja të cilat janë ndërtuar në tri vitet e fundit. Ky është rasti i katër, edhe tri të tjera do t’i vizitojmë gjatë ditës. Kjo dukuri është shqetësuese për ministrinë dhe për ne që kemi marrë përgjegjësi karshi qytetarëve, për një standart të ri dhe më të mirë të rrugëve.

Këto rrëshqitje po na ndodhin me reshje që nuk janë shumë të mëdha dhe në rrugë që janë lëshuar në qarkullim në vitin 2016 dhe kjo na bënë të kuptojmë që nuk ka pasur seriozitet në ndërtimin e këtyre rrugëve. Qeverisja e kaluar nuk është marrë me standart tjetër të ndërtimit të rrugëve.

Ka kaluar koha e ndërtimit të rrugëve emergjente, sepse qytetarët e Kosovës duhet të kenë rrugë tjera dhe me standarte të larta. Tash duhet sanuar gjendja e rëndë dhe kërkon mjete shtesë që të përfundohet, mirëpo ne do t’i ndërmarrim masat dhe nga nesër do ta formojmë komisionin për të gjitha rrugët, ku ka patur rrëshqitje të dheut në Republikën e Kosovës, i cili do ta konstatojë pse ka ardhur deri te kjo situatë, kur kemi rrëshqitje dherash në rrugë”, deklaroi Kadriu.

Më pas, Kadriu, vizitoi edhe segmentin rrugor nga Rakoshi në drejtim të Osojanit, saktësisht në Kërrninë, ku edhe aty, edhe pse rrugë e re ka patsur degradim të rrugës dhe rrëshqitje dheu.

“Pardje kemi marrë informatën nga Menagjeri Rajonal i Pejës, Sami Maloku, se kemi një rrëshqitje në aksin rrugor Rakosh-Osojan, rrugë kjo me një gjatësi prej 8.1 kilometra, pra këtu në Kërrninë, e cila është lëshuar vitin e kaluar, dhe ka patur kosto prej 1 milion e 300 mijë eurosh.

Si rezultat i kryerjes jo të mirë të punëve ka ardhur deri te shembja e kësaj pjese, ku kemi devijim rreth 40 centimetra ulje të pjesës së poshtme të kësaj traseje. Ne si Ministri e Infrastrukturës kemi sanuar gjendjen me anë të kompanisë mirëmbajtëse, në mënyrë që kjo rrugë të jetë e qarkullueshme.

Kjo rrugë është ende nën garancion të kompanisë punuese, të cilës i jemi drejtuar me anë të një shkrese që të bëjë rikonstruimin e kësaj pjese të rrugës së degraduar. Këtu do të vihet një mur mbrojtës dhe kështu do të sanohet kjo pjesë e këtij segmenti rrugor”, tha Rexhep Kadriu.

Ai ka shtuar se për rrugët që janë nën garancion të kompanive ndërtuese nuk do të ketë implikime buxhetore, ngase ato kompani janë të obliguara që t’i sanojnë dëmet e bëra.

Kadriu edhe një herë shfaqi shqetësimin e tij dhe Ministrisë së Infrastrukturës, lidhur me rrugët e ndërtuara në tre vitet e fundit, e për të cilat tha se janë ndërtuar pa standarte të mirëfillta dhe me kualitet që lë për të dëshiruar.

Kadriu ka inspektuar edhe shembjen e murit mbrojtës në gjatësi prej 12 metrash që ka ndodhur ditë më parë në aksin rrugor Prishtinë-Pejë në segmentin i cili ndodhet në Balincë.

“Të gjitha këto shembje dhe degradime të rrugëve, Kadriu ka thënë se do të ekzaminohen nga një komision i cili do të formohet në ditët në vijim dhe rikonstruimi i tyre do të fillojë sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, ndërkaq tash për tash këto rrugë do të sigurohen që qytetarët të mund të lëvizin lirshëm dhe pa u rrezikuar”, përfundon komunikata.

Të ngjashme