Zhbllokohet pjesërisht kontrata për pastrimin e hapësirave publike në Prizren

Prishtinë | 08 Tet 2019 | 11:43 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Prizrenit ka arritur që ta nënshkruajë kontratën për pjesën e parë dhe të dytë të prokurimit për mirëmbajtjen e rrugëve dhe të hapësirave të gjelbra në qytet dhe në fshatra, derisa pjesa e tretë me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit është kthyer në rivlerësim.

Një gjë e tillë ka bërë që drejtuesit e ekzekutivit lokal të shprehin qëndrimin se rrugët e qytetit të Prizrenit tani e tutje do të jenë më të pastra. Në anën tjetër, opozita në nivel komunal ka qenë vazhdimisht kritike për këtë çështje, duke shprehur pakënaqësinë për papastërtinë në hapësirat publike, shkruan sot Koha Ditore.

Në sistemin elektronik të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik ditë më parë është publikuar njoftimi i Komunës së Prizrenit për nënshkrimin e kontratës për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve, shesheve, hapësirave të gjelbëruara, shtratit të Lumëbardhit dhe largimi i borës në qytet dhe fshatrat e Komunës së Prizrenit.

Sipas këtij njoftimi, fitues i pjesës së parë (Lot 1) të kontratës është grupi i operatorëve ekonomik “EING” dhe “El-Bau” me tenderin në vlerë prej 744 mijë eurosh. Ndërsa fitues i pjesës së dytë (Lot 2) të kontratës është KRM “Ekoregjioni” me tenderin në vlerë 823 mijë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme