Pasi ylli i Paris Saint-Germainit, Kylian Mbappe, tha se trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, kishte qenë idhulli i tij i parë si fëmijë, ky i fundit ia ktheu lëvdatat, duke thënë se tani lojtarët e kanë shembull Mbappen.
Ylli francez Kylian Mbappe është bërë njëri ndër sulmuesit më të kërkuar të botës që kur u transferua nga Monaco në Paris Saint-Germain në vitin 2018, duke i shënuar 81 gola në sezonet e gjysmë që nga atëherë.
Para se të transferohej në Paris Saint-Germain, Mbappe ishte përfolur shumë për një kalim në Real Madrid. Këto spekulime për shpërnguljen në Santiago Bernabeu nuk janë ndalur asnjëherë, që nga atëherë.
I lindur në vitin 1998 në Bondy, një lagje e varfër e Parisit, Mbappe u rrit në një kohë kur Zidane ishte superyll botëror dhe heroi i francezëve.
Në hapjen e shoqatës së tij bamirëse Inspired by KM, e cila do t’i ndihmojë fëmijët 9 deri në 16-vjeçarë drejt jetës si të rritur, Mbappe u pyet për futbollistët që i kishte adhuruar kur kishte qenë fëmijë.
“Epo, unë i kam kaluar disa faza. Sa për fillim, si fëmijë, ishte Zidane. Nëse je djalë dhe je francez, atëherë idhulli yt është Zidane. Pas kësaj ishte Cristiano Ronaldo dhe e kam pasur fatin të luaj kundër tij”, ka thënë Mbappe.
“Pastaj ishte braziliani Ronaldo për mënyrën se si ai luante. Unë dua ta lë një lloj gjurme të tillë me vlerat e mia, ta lë një mesazh në histori të futbollit”.
Kjo deklaratë e Mbappes i nxiti edhe më shumë spekulimet për një transferim potencial të tij në Santiago Bernabeu. Disa orë më vonë, lëvdatat u kthyen sërish drejt tij nga ana e trajnerit Zidane.
“Tani, ai është shëmbulli për të tjerët. Ne jemi shembuj për ata që luajnë futboll. Unë kam qenë shembull sepse disa njerëzve u pëlqente mënyra se si luaja unë”, transmeton gazetaexpress.
Mbappe i ka shënuar 21 gola në 22 paraqitjet e tij për PSG-në këtë sezon dhe është në rrugë të drejtë për ta fituar për herë të katërt radhazi titullin e Ligue 1, pasi PSG-ja është lidere e ligës me tetë pikë më shumë sesa Marseille, që radhitet e dyta.