Zjarrfikësat në Pejë: Zjarret janë ndezur qëllimshëm

Prishtinë | 28 Tet 2019 | 19:16 | Nga Ekonomia Online

Nga dita e premte një valë e zjarreve e ka kapluar regjionin e Pejës.

Zjarret më të mëdha ishin në Stankaj, Grykën e Deçanit, dhe Malet e Rugovës.

Klan Kosova ka kontaktuar për të marrë më shumë detaje.

Kapllan Nikqi, shef i Operativës së Zjarrfikësve në Pejë tha nëpërmjet telefonit se zjarret se janë ndezur qëllimshëm.

” Zjarret janë ndezur qëllimshëm. Janë një grup i caktuar se i ka bërë këto. Nuk e di pse janë ndezur. Këta persona i kanë ndezur në mënyrë profesionale pa lënë gjurmë, sepse zjarret nuk janë ndezur as tek rruga e as tek lumi poshtë “-tha Nikçi

Nikqi theksoi se këto zjarre kanë përfshirë zonën deri në 5 mijë metra.

Dëmi sipas tij deri më tani ka shkuar deri në 30 përqind e pyjeve të vogla halore.

“Zjarri është përhapur në një vijë 5 mijë metra rreth zonës. Kemi arritur deri më tani t’i shpëtojmë 70 përqind e pyjeve, kurse 30 përqind jo, e pyjeve të vogla halore”-tha Nikçi.

Numri dy i zjarrfikësve në Pejë shtoi se përveç ekipeve të tyre, të angazhuar janë edhe disa banorë të zonave, Agjencia Pyjore dhe Policia.

Ai tha se edhe në ditët në vazhdim do të angazhohen që ta mbajnë nën kontroll zjarrin.

“Kemi 40 zjarrfikës të angazhuar. Përveç tyre janë edhe banorët e zonës, Agjencia Pyjore dhe Policia. Është sfidë që nën këtë ritëm të menaxhohet puna. Mirëpo e kemi nënkontroll. Do të jemi të angazhuar edhe tutje që ta shuajmë zjarrin në këto pjesë”-shtoi Nikçi.

Nikçi potencoi se nuk ka të lënduar dhe as dëme në pasuri tek banorët.

Ndryshe edhe Policia ka paralajmëruar hetime për këto raste.

Të ngjashme