Zjarri në qendrën tregtare në Shqipëri, 4 fëmijë e 2 të moshuar ende brenda ndërtesës

Prishtinë | 25 Dhj 2023 | 18:40 | Nga Ekonomia Online

Flakët e zjarrit në qendrën tregtare Metropolitan në Lushnjë vijojnë të jenë aktive. Situata paraqitet serioze pasi qendra ndodhet në një pallat 12-katësh dhe flakët kanë përfshirë dhe ato.

Mësohet se pjesa më e madhe e banorëve është evakuuar, por dyshohet se ka disa persona që kanë mbetur të bllokuar, duke rritur kështu frikën e asfiksimit të tyre. Sipas burimeve për A2 CNN, dyshohet se katër fëmijë dhe dy të moshuar ndodhen ende brenda godinës.

Dyshohet se zjarri ka rënë në një njësi që tregtonte këpucë. Sipas raportimeve paraprake, kjo njësi ka qenë e mbyllur, ndërsa flaka është përhapur në të gjithë qendrën.

Ndërkohë zjarrfikëset e kanë pasur të vështirë të ndërhyjnë për shkak të pallateve që janë shumë pranë njëri tjetrit.

Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, duke u shprehur se po e ndjek me shumë vëmendje situatën e rëndë në Lushnje.

Ai ka shtuar se fokusi i vetëm në këtë moment duhet të jetë mbështetja ndaj forcave zjarrfikëse dhe policisë, për të frenuar zjarrin dhe për t’i dhënë ndihmën e nevojshme qytetarëve të rrezikuar.

“Po ndjek me shumë shqetësim situatën e rëndë në Lushnje. Në këtë moment të vështirë dhe ankthi për të gjithë, uroj me zemër që të kalojë sa më parë, pa asnjë pasojë në jetën dhe shëndetin e qytetarëve. Në këtë moment fokusi i vetëm duhet të jetë mbështetja ndaj forcave zjarrfikëse dhe policisë, për të frenuar zjarrin dhe për ti dhënë ndihmën e nevojshme qytetarëve të rrezikuar.”, shkruan Bardhi në reagimin e tij.

Të ngjashme