Zubin Potoku “verifikon dëmet që i ka shkaktuar ndërhyrja e ROSU-së”

Prishtinë | 01 Qer 2019 | 15:11 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Zubin Potokut ka formuar komisionin për, siç thuhet, “verifikimin e pasojave nga ndërhyrja e fundit brutale të njësisë speciale të Policisë së Kosovës në territorin e komunës”.

Me këtë komision, siç përcjell gazeta e Beogradit “blic”, do të konstatohet se si autoritetet lokale dhe shteti i Serbisë do të mund të ndihmonin familjet anëtarët e të cilave janë rrahur dhe pasuria e të cilëve është dëmtuar”.

Kryetari i komisionit, Sërgjan Vuçiniq, ka thënë se anëtarët e komisionit bashkë me përfaqësuesit e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën dje dhe sot kanë vizituar 16 familje të cilave gjatë periudhës së ardhshme do t’iu ofrohet ndihmë e gjithanshme.

Sipas gazetës, komisioni gjatë dy ditëve të shkuara ka vizituar familjet “anëtarët e të cilave pa kurrfarë arsyeje kanë qenë në shënjestër të sulmeve si dhe të familjeve në shtëpitë e të cilëve ka hyrë policia duke demoluar çdo gjë”.

“Dëshirojmë të shohim se si mund t’i ndihmojmë në mënyrën më efikase njerëzit që kanë qenë viktimë e veprimit ë dhunshëm të Policisë në komunën e Zubin Potokut. Qytetarët tanë duhet ta dinë se pushteti lokal dhe Zyra e Serbisë për Kosovën në çdo mënyrë do të jetë me ta”, ka thënë Vuçiniq.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme