​Osmani: Rritja e numrit të rasteve me COVID-19, kërkon vëmendje urgjente të Qeverisë

Prishtinë | 28 Qer 2020 | 16:50 | Nga Ekonomia Online

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka reaguar pas shtimit të numrit të rasteve të reja me COVID-19 në vendin tonë.

Në një postim në Twitter ajo ka thënë se Kosova ka ‘rrëshqitur’ nga lista e rrëfimeve të suksesshme në mposhtjen e virusit, duke i ngjitur në listën botërore edhe për tri vende për raste të reja shtesë.

“Rritja e konsiderueshme, kërkon vëmendjen urgjente të Qeverisë dhe përkushtimin e të gjithëve në respektimin e udhëzimeve”, ka shkruar Osmani.

Kosova deri më tash ka regjistruar 2590 raste me COVID-19, ndërkohë që në këtë bilanc rastet e reja janë rritur me të madhe gjatë qershorit, pas lehtësimit të masave anti-COVID-19.

Kryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar rikthimin e masave të izolimit nëse vazhdon trendi në rritje i rasteve të reja të infeksionit që ka prekur pothuajse gjithë botën.

Të ngjashme