200 raste në javë zihen duke vjedhur rrymën, Rizvanolli thotë se numri i keqpërdoruesve ka rënë dukshëm

Prishtinë | 28 Shk 2023 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se 200 raste në javë zihen duke vjedhur energjinë elektrike nga kontrollet që kryhen nga KEDS-i, raporton Ekonomia Online.

Ajo  ka thënë se KEDS nga 2 mijë kontrolle në javë, arrin që të kap qytetarë duke keqpërdorur rrymën. Ndërsa, u shpreh se numri i keqpërdoruesve ka rënë dukshëm.

“Kjo masa për subvencionimin e faturave është duke vazhduar edhe në përkrahje të BE-së nga programi 15 milionë euro. Për vjedhje nuk kemi qasje por për shkak të krizës jemi marr më të. Në një mbledhje kemi diskutuar për sfidat në këtë sektor, ku na duhet një koordinim i të gjithë institucioneve. Duhet që t’i përmirësojmë edhe procedurat. Kemi kërkuar raportim të rregullt nga KEDS për kontrollet që i bëjnë, sepse qytetarët mendojnë se atë vjedhje e paguan institucioni por në fakt atë vjedhje e paguajnë vetë qytetarët. 2 mijë kontrolla i bënë në javë KEDS, dhe rreth 200 raste në javë zihen duke vjedhur, 1,45 për qind janë ulur në krahasim më vitin e kaluar vjedhjet” tha ajo.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, përpos çështjes së keqpërdorimeve me energji elektrike, kërkoi të di për kohën sesa do të zgjasë subvencionimi.

“Kosova ka qenë vendi më i lirë në gjithë rajonin. Një prej masave që ka marr më shumë vëmendje është subvencionimi. Edhe sa do të zgjasë kjo. Është çështja e vjedhjeve, sa ka pasur ulje në këtë çështje”, pyeti ajo.

E deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, tha se ka pritur që këtë vit të ketë disa lehtësira, si heqjen e akcizës për derivate dhe largimin e përkohshëm të TVSh-së për disa produkte.

“Ato të dhëna që i keni dhënë janë të përgjithshme nuk janë të caktuara. Nga cilat komuna janë ato shtëpi që kanë përfituar. Mendoj që më tepër janë paushalle se sa janë saktësi ato që i keni dhënë. Sa e pash në plan për vitin 2023 keni përmendur projekte afatgjate që mendoj që qytetarëve janë të duhura por sa janë të realizueshme nuk dihet. Unë prita që për vitin 2023 që të vini me masa lehtësues për shembull largimin e TVSh, të largon akcizën për derivate, të ktheni çmimet e energjisë, këto masa kemi prit që t’i bënë për vitin 2023 që do të ndikojnë tek qytetarët”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, pyeti për përfituesit e pajisjeve termike.

“A kishit mundur që të kemi një informacion rreth subvencionimit të pasjeve termike, sa është numri i tyre. Është e rëndësishme që të dijmë se kush ka përfituar dhe deri ku ka shkuar, sa janë shpenzimet, a ka kontrolle që ato kanë shkuar në vendin e duhur”, tha ai.

Ndërsa ministrja Rizvanolli tha se vizitat për t’i kontrolluar pajisjet tashmë kanë filluar.

“Kushtet kanë qenë të tilla që është dorëzuar fatura. Përveç faturës për një numër 10 për qind do të vizitohen, vizitat kanë filluar për t’u siguruar që pajisjet janë të montuara. Kemi kërkuar që të dorëzohet edhe numri serik. Për informata e duhura do t’ju dërgojmë”, tha ajo.

Të ngjashme