21 përfaqësues të OKB-së vdiqën në “aeroplanin e vdekjes” në Etiopi

Prishtinë | 11 Mar 2019 | 19:00 | Nga Ekonomia Online

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë të ditur se të paktën 21 përfaqësues të OKB-së kanë qenë në bordin e aeroplanit të kompanisë “Ethiopian Airlines”, që u rrëzua të shtunën.

Aeroplani ishte rrëzuar menjëherë pas nisjes nga kryeqyteti i Etiopisë, transmeton “Koha Ditore”.

Guterres ka folur të hënën, gjatë seancës së Komisionit për statusin e grave, që ka nisur me një minutë heshtjeje për 157 viktimat e aksidentit ajror.

“Organizata e Kombeve të Bashkuara është në zi”, ka thënë Guterres, duke shtuar se kanë vdekur edhe një numër i pacaktuar i bashkëpunëtorëve të ngushtë të Kombeve të Bashkuara.

Ai ka shtuar se viktimat vinin nga pjesë të ndryshme të botës dhe kanë pasur qëllim të përbashkët të ndihmojnë njerëzit dhe ta bëjnë botën vend më të mirë për të gjithë.

Të ngjashme