Në Lipjan kanë filluar punimet për ndërtimin e Qendrës Urgjente dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
Ky objekt do të ndërtohet nga buxheti i Komunës dhe do të kushtojë 1.8 milion, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, tha se objekti i ri modern, i cili planifikohet të nisë funksionimin në pranverë të vitit 2025, do të shtojë cilësinë e shërbimeve shëndetësore për qytetarët.
Me rastin e vënies së gurthemelit, të hënën, Ahmeti tha se ky investim kapital është i rëndësishëm pasi që Lipjani i ka të trashëguara objekte të vjetra.
“Sot po fillon gurthemeli i Qendrës Urgjente dhe Mjekësisë Familjare në Lipjan. Është një prej projekteve më madhore për qytetin tonë dhe për komunën tonë sepse kemi objekteve të vjetra të trashëguara të paraluftës”.
“Natyrisht shërbimet shëndetësore kanë pasur vështirësitë e tyre të punës dhe pres që të përmirësohen me fillimin e këtij objekti që pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2025 sepse jemi vonë këtë vit”, u shpreh Ahmeti.
Objekti do t’i akomodojë të gjithë punonjësit e Qendrës Kryesore Mjekësore në Lipjan.
“Ne besojmë që me ndërtimin e objektit të ri modern për shërbimet shëndetësore do të shtojmë cilësinë e shërbimeve shëndetësore në shërbim të qytetarëve tanë”, theksoi kryetari Ahmeti.
Krahas objektit të ri, Ahmeti bëri të ditur se po punojnë edhe në ndërtimin e rrugëve që lehtësojnë qasjen deri te objekti i QKMF-së dhe shkarkojnë trafikun në këtë pjesë të qytetit.




