Rritja e çmimit të energjisë, Ibishi: Do të ndikojë negativisht te komunitetet e margjinalizuara, do të vështirësohet mbijetesa

Prishtinë | 28 Shk 2025 | 13:22 | Nga Diellza Gashi

Bashkim Ibishi, drejtor i organizatës Advancing Together, ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të ndikojë negativisht në komunitetet e margjinalizuara në Kosovë, si ato Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Ibishi ka theksuar se këto grupe, që shpesh nuk kanë qasje në punësim, do të hasin vështirësi të mëdha për të përballuar shtrenjtimin e energjisë, veçanërisht për ata që janë jashtë marrëdhënieve të punës.

“Ndikon negativisht për arsye se jemi duke folur për komunitetet që janë të margjinalizuara, që nuk kanë qasje në punësim nuk mundin ekonominë e tyre dhe me mezi e përballojnë mbijetesën. Pse qeveria ka një program i cili mundet me ndikuar dhe me zbutur këtë punë por prapë se prapë shumë vështirë do ta kenë që do ta përballojnë këtë shtrenjtim. As un si qytetarë që jam i punësuar lerë më ata që nuk janë në marrëdhënie pune”, tha ai.

Tutje ai tha se qeveria duhet të krijojë mekanizma mbështetjeje, si subvencionet, për të lehtësuar këtë ngarkesë për qytetarët.

“Jemi duke folur në aspektin gjithëpërfshirës, Kosova ka normën më të lartë të papunësisë në rajon edhe çmimet që mundet të ngritën siç e ka paralajmëruar ZRRE, besoj që qeveria ose do të krijojë një mekanizëm që e zbrazë këtë aspekt ose do të mendoj subvencionim të caktuar, sepse asnjë qytetarë nuk mund ta përballojë me ardhur 30 për qind faktura më e lartë se këtë muaj që jemi”, shtoi ai.

Ai gjithashtu ka theksuar se për ata që nuk mund të përfitojnë nga asistenca sociale, janë të detyruar të punojnë në tregun e zi, çka dëmton kontributin në buxhetin e shtetit dhe shton rrezikun e migrimit.

“Ka komunitete të avancuar dhe kanë kapacitete të punësohet edhe nëse ata diskriminohen i bie që njerëzit nuk mund të krijojnë të ardhura për familjen e tyre. Çka të bëjmë për atë që nuk i krijojnë kriteret për të përfituar prej asistencës sociale të qeverisë, punojnë në tregun e zi dhe nuk ndikon mirë në kontributin e shtetit sepse nuk kontribuojnë në taksat e shtetit, gjithë kjo krijon një zinxhir i cili nuk dërgon askush përveç tek migrimi i popullatës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

Të ngjashme