Agjencia Kadastrale e Kosovës mbajti konferencë për projektin e rindërtimit të kadastrit në 115 zona me probleme të theksuara pronësore, raporton Ekonomia Online.
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, tha se ky projekt është hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes së problemeve të trashëguara me pronat dhe do të kontribuojë në siguri juridike dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Ai theksoi rëndësinë e digjitalizimit të të dhënave dhe të sistemit të adresave si pjesë e reformave në këtë sektor.
“Kemi të bëjmë me rindërtimin e kadastrit. Kujtoj nga e kaluara, kam pasur rastin ta shoh nga afër sfidat që ka çështja e pronave. Qytetarët janë detyruar të blejnë dhe të riblejnë pronat pas periudhës së Millosheviqit. Jemi në fazën e rregullimit të zgjidhjes së këtyre problemeve. Kemi kryer me sukses edhe 11 udhëzime dhe po kulmon me projektin e rindërtimit të kadastrit. Janë 115 zona. Ky është një nga projektet, të cilat i kanë paraprirë edhe projekte të tjera të digjitalizimit. Një projekt i rëndësishëm është që po i digjitalizojmë këto të dhëna. Projekti tjetër është i sistemit të adresave dhe lidhja e adresave me qytetarët. Është mjaft shpresëdhënëse për të pasur siguri më të madhe dhe hap rrugë për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Kosovë”, tha Aliu.
Kryeshefi i Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Avni Ahmeti, tha se projekti i rindërtimit të kadastrit do të zgjidhë problemet e trashëguara pronësore dhe do të përfshijë matjen e rreth 70 mijë objekteve, duke kursyer mbi 10 milionë euro në procesin e legalizimit.
Ai njoftoi se nga 14 prilli deri më 14 maj, ekipet do të jenë në terren për të informuar qytetarët në takime, që do të mbahen pas orarit të punës.
“Ky do t’i zgjidh problemet që janë trashëguar këto probleme për një kohë të gjatë. Çështje tjetër është edhe matja e objekteve, ku do të përgatitet matje e rreth 70 mijë objekteve. Kostoja e këtij legalizimi është një kursim mbi 10 milionë. Si proces do të fillojë nga e hëna prej datës 14 prill deri më 14 maj. Do të jemi në terren për të informuar nga afër qytetarët për procesin e rindërtimit të kadastrit. Ju ftoj të përfshiheni masivisht në këtë projekt. Do t’i informojmë për kohën dhe lokacionet e këtyre takimeve. Kryesisht do të mbahen pas orarit të punës. Prej 1305 zonave kanë pasur fatin 115 zona që janë zona më aktive. Ky projekt është determinues për zhvillimin e mëtutjeshëm për një periudhë 10 vjeçare. Është ndër projektet më kryesore”, tha Ahmeti.
