PSE OPOZITA DUHET TA VOTOJË KRYETARIN / KRYETAREN E KUVENDIT?
Lojë e pandershme në pandershmërinë institucionale
Për të shtatën herë me radhë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës, për shkak se LVV këmbëngul që Lenka Haxhiu të zgjidhet kryetare e Kuvendit, ndërsa opozita ka mendim tjetër dhe refuzon ta votojë. Lenka ka mbetur me 57 vota, numër i pamjaftueshëm për ta kaluar “Rubikonin”.
Marioneta numër një e Kurtit, që po “udhëheq” seancat e Kuvendit, Avni Dehari, luajti lojëra të palejueshme për të mundësuar zgjedhjen e marionetës numër dy si kryetare të Kuvendit. Sa poshtë ka rënë katundi! Po flitet se Albin Kurthi po e rrënon reputacionin dhe “emrin e mirë” të kandidates për kryetare të Kuvendit, duke e djegur në një zjarr të shkurtër siç janë votimet në Kuvend.
Aspak e vërtetë! Kurthi vetëm po e “trajnon” për një fazë të mëvonshme sipas modelit “Avni Dehari”. Lenka e ka pranuar rolin me përkushtim, “besnikëri” dhe nënshtrim ndaj Partisë së mos-Punës, LVV-së. Ajo nuk e ka problem reputacionin, sepse, sipas propagandës, ka bagazh të “fuqishëm” profesional, integritet të pa(k)thyeshëm dhe kapital të madh shërbimi ndaj partisë dhe Liderit Suprem.
As EXFIS-i nuk do të kishte mundësi të fuste më shumë gaz lotsjellës sesa që e bëri Lenka Haxhiu. Prandaj, mbështetur në parimet e meritokracisë, me asgjë nuk mund të kundërshtohet! Në planin intelektual dhe profesional kisha disa dyshime (kush jam unë që të dyshoj?), por deklaratat publike të autoriteteve “intelektuale e profesionale” si Dilmal Basha, Faton si Peci, Haxhi Qamili, ekstazitë e Perzerenit, Mef Bajçina, Alil Taçi, paramilitari dhe mercenari i Ministrisë së Financave në krye me “nobelisten” Arbërie Pambuku, më larguan çdo dyshim: jam për Lenkën – kryetare, sekretare, arkëtare, administratore, prokurore, notere dhe përmbaruese e kësaj maratone të turpshme të quajtur moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Çfarë dëmi mund të shkaktojë Lenka?
Në rrethana të tjera, do të bënte shumë dëm. Në raportin aktual të forcave – asgjë hiç! Përveçse do të bëhej një marionetë jofunksionale. Albin Kurthi nuk i ka votat për Kryeministër, prandaj e hedh Lenkën si zaret për të bllokuar procesin.
Kraki-itjet e pozitës, se kinse opozita po e bllokon zgjedhjen e kryetarit/es së Kuvendit, nuk vlejnë as për pesë cent, sepse opozita nuk e ka detyrim të sigurojë vota për pozitën. Sidomos kur partia e Albin Kurtit, në asnjë rast, nuk e ka votuar kandidatin e mëparshëm të pozitës për kryetar të Kuvendit.
Kadri Veselin, Albin Kurthi e kishte quajtur “person kontrovers”, kurse Lenka Haxhiu e quajti “kriminel” themeluesin, luftëtarin e orëve të para të UÇK-së, bartësin e posteve të larta shtetërore, njeriun me merita të jashtëzakonshme për shtetin e Kosovës.
Aktualisht, opozita ka epërsi politike, të numrave, kredit moral dhe kombëtar. Prandaj duhet – vullnetarisht dhe pa kushte – të zhbllokojë procesin e konstituimit të Kuvendit, që po bllokohet pikërisht nga pozita. Kjo nënkupton se bllokuesi përcaktues është Albin Kurthi.
Albin Kurthi ka një qëllim. Lenka Haxhiu po përdoret si mjet për arritjen e këtij qëllimi, që është marrja dhe mbajtja e pushtetit.
Gjendja aktuale:
Çka duhet të bëjë opozita?
Duhet ta nxjerrë Kurtin nga manipulimi i seancave të pafundme dhe të përfundojë konstituimin e Kuvendit. Kështu krijohen kushte ligjore për ta futur Kurtin në afate kohore dhe për ta penguar të luajë pafundësisht.
Pas funksionalizimit të Kuvendit, Kurthi ose do të shkojë në opozitë, ose do të arnojë një qeveri me 61 vota – jetëgjatësi sa e një fluture. Edhe nëse sigurohen 61 vota, pozita do të mbetet me vetëm 57 deputetë, duke u varur nga mëshira e opozitës.
As Lenka Haxhiu, as Albin Kurthi, nuk mund të provokojnë zgjedhje të parakohshme pa vullnetin e opozitës. Vetëm nëse ka marrëveshje pozitë-opozitë për shpërndarje të Kuvendit pas konstituimit, mund të shkohet në zgjedhje – megjithatë, askush nuk duket i interesuar.
Mesazhi i fundit: Kuvendi duhet të zhbllokohet. Ky duhet të jetë vendim i opozitës – unanim dhe i deklaruar. Çdo zvarritje i përshtatet vetëm Kurtit. Ai e luan këtë lojë. Opozita duhet të funksionalizojë Kuvendin për të hetuar e shkarkuar kriminelët e ZRrE-së, për të hetuar keqpërdorimin e 700 milionë eurove për blerje të rrymës, për t’i zbardhur marrëveshjet me kompanitë greke pa përvojë që kanë shkaktuar qindra milionë euro humbje në termocentralet Kosova A, B dhe C.
Duhet të hetohet edhe skandali në Brezovicë – vrasësi nga Shqipëria në ortakëri me filojugosllavin Jeton Qurroi, që po bën ekocid, i njëjti që me dy punëtorë përfitoi 160 milionë euro përmes tregtisë me energji sipas parimit “shit lirë, ble shtrenjtë”.
Qytetarët po varfërohen përditë nga qeverisja e paaftë që kërkon ta zgjasë keqqeverisjen përmes bllokimit të Kuvendit. Opozita duhet ta pengojë këtë. Nuk është e detyruar të votojë propozimet e pozitës, por është në interesin publik të mbrojë interesat e qytetarëve dhe të marrë përgjegjësi.
Mos hyni në labirintin e Kurtit – dilni në ballë të proceseve. Kosova po shndërrohet në një vend ku shpresa nuk vdes e fundit, por e para!
Zhbllokojeni procesin që po bllokohet nga Kurthi dhe ministrat, të cilët përveç pagave marrin edhe 16 mijë euro në vit në emër të mëditjeve.