Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj Elon Musk, pas lajmit se miliarderi planifikon të krijojë një parti të re politike me emrin “America Party”. Përmes një postimi në rrjetin e tij social Truth Social, Trump ka kritikuar idenë, duke e quajtur “qesharake” dhe ka theksuar se Partia Republikane është tashmë shumë e suksesshme për të pasur nevojë për alternativa të reja.
“Është për të ardhur keq të shohësh Elon Musk të humbasë rrugën dhe të shndërrohet në një katastrofë gjatë pesë javëve të fundit. Do të nisë edhe një parti të tretë politike – edhe pse këto kurrë nuk kanë funksionuar në SHBA. Sistemi nuk është ndërtuar për këtë. Gjithçka që bëjnë partitë e treta është të shkaktojnë kaos dhe destabilitet, dhe këtë e kemi mjaftueshëm me demokratët radikalë të majtë,” shkroi Trump.
Më tej, presidenti theksoi një prej arritjeve më të fundit të republikanëve – miratimin e një ligji të ri që, sipas tij, shfuqizon “urdhrin absurd” për makinat elektrike (EV Mandate), i cili do të detyronte qytetarët të blinin automjete elektrike në një periudhë të shkurtër kohore.
“Qytetarët tani mund të zgjedhin vetë çfarë automjeti duan – me benzinë, hibride ose teknologji të reja. Që në fillim kam qenë kundër këtij detyrimi absurd,” shtoi Trump, duke kujtuar se Musk dikur i kishte ofruar mbështetje të plotë, pavarësisht qëndrimeve të ndryshme për çështjen e makinave elektrike.
Në të njëjtin postim, Trump tregon se Musk kishte kërkuar emërimin e një miku të tij në krye të NASA-s. “Miku i tij ishte demokrat i bindur dhe nuk kishte mbështetur kurrë republikanët. M’u duk i papërshtatshëm për të drejtuar NASA-n, veçanërisht duke pasur parasysh lidhjet e tij të afërta me industrinë e hapësirës dhe me vetë Elonin,” përfundon Trump, duke theksuar se “misioni numër një i tij është mbrojtja e popullit amerikan”.
Reagimi i Elon Musk: “Truth Social? Nuk kam dëgjuar kurrë për të!”
Nga ana tjetër, Elon Musk ka reaguar me një koment thumbues dhe të ftohtë ndaj postimit të Trump. I pyetur për rrjetin social ku u publikua kritika, Musk tha: “Truth Social? Nuk kam dëgjuar kurrë për të,” duke ironizuar rëndësinë e platformës së krijuar nga Trump.