I lirë në burg, të burgosur në liri!

Prishtinë | 30 Kor 2025 | 12:28 | Nga Behxhet Bajgora

Intervistë e jashtëzakonshme e Hashim Thaçit:

Hashim Thaçi është figura më mbresëlënëse dhe përcaktuese në historinë e re të Kosovës dhe shqiptarëve. Që nga vitet e 80-ta të shekullit të kaluar nuk ka proces nëpër të cilin ka kaluar Kosova dhe shqiptarët (jo vetëm në Kosovë) e që Hashim Thaçi të mos jetë në epiqendrën apo vetë qendrën e zhvillimeve që përfunduan me luftën e lavdishme të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, me komandantin politik, të pavdekshmin Bacë Adem Demaçi dhe legjendarin Adem Jashari.

Hashim Thaçi ishte alfa dhe omega e Lëvizjes Studentore që ishte spiritus movens i rezistencës aktive dhe ushtarake. Ishte indi ndërlidhës i organizimit në diasporë dhe aktiviteteve të ilegales në Kosovë. Para Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, isha i pranishëm si monitorues, si pjesë e grupit të Adem Jasharit u dënua në mungesë me 15 vite burg. Ishte pjesë fundamentale dhe e pazëvendësueshme e luftës së UÇK-së, deri në çlirim dhe adresa kryesore e komunikimit politik me faktorin ndërkombëtar.

Kundërshtarët dhe sabotuesit e luftës, dezertorët dhe mohuesit e lirisë e akuzonin se luftën e ka bërë nga “shtabi operativ i Rognerit” në Tiranë, e që e vërteta ishte krejtësisht e kundërt. Një atdhetar i jashtëzakonshëm, njeri i mrekullueshëm dhe shqiptar i madh, ish-i burgosur politik, tash prehet në përjetësi bashkë me shokët e idealit, Bacë Adem Demaçi, Dr. Hafir Shala, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Xhavit Haziri dhe të tjerë. I pavdekshmi Tahir Hani nga Veleshta e Strugës na tregonte se gjatë kalimeve të shpeshta nga Shqipëria në Kosovë, përmes Maqedonisë, Hashim Thaçi kishte kallashnikovin dhe dy bomba dore, i vendosur të mos dorëzohej i gjallë, nëse do të përballej me forcat armike.

Koha e tranzicionit:

Pasi i udhëhoqi me mjeshtëri dhe saktësi prej filigrani bisedimet e Rambujesë, me taktikën “tërhiq e mos e këput”, nxori më të mirën e mundshme kur e dëgjoi këshillën e Bacë Adem Demaçit që të mos e nënshkruajë marrëveshjen pa garanci të forta. Thonë se trimave iu prinë edhe fati! Fati ishte se Serbia nuk pranoi ta nënshkruante këtë marrëveshje duke bërë llogari të gabuara. Hashim Thaçi bëri mirë që nuk ua dorëzoi rolin udhëheqës të tjerëve; Rugova ishte tepër i butë për vendime të rënda, Qosja kishte qëndrim oportunist dhe të luhatshëm, ndërsa, po të varej nga Veton Surroi, për pesë minuta do të kthehej Jugosllavia dhe Serbia në Kosovë, përmes UJD-it.

Kam qenë bashkë me Bacën Adem në shumicën e bisedave telefonike që i bënte Baca me Hashim Thaçin përmes telefonit satelitor dhe jam i informuar shumë mirë. Hashim Thaçi ishte nën presion të madh nga rryma projugosllave e delegacionit, nga ndërkombëtarët dhe nga autoritetet mercenare të Shqipërisë për ta nënshkruar, pa kushte, këtë marrëveshje. Blerja e kohës nga Thaçi e forcoi pozicionin negociues të Kosovës. E udhëhoqi procesin e demilitarizimit të UÇK-së që kushtëzohej nga ndërkombëtarët, si kusht drejt shtetësisë. Ishte dominues në bisedimet e Vjenës ku bëri lëshime taktike, për një fitore strategjike – shtetin e Kosovës.

Kur e lexoi Deklaratën e Pavarësisë, ia panë për të madhe pse nuk ia lejoi këtë Fatmir Sejdiut që ishte president apo, për ta zënë ngushtë pse këtë nuk e bëri Baca Adem Demaçi. Po, ma gjeni një rast të vetëm në botë kur dikush ia dhuron tjetrit lavdinë e fituar me shumë mund dhe sakrifica për ta bërë këtë Hashim Thaçi i cili, jo se nuk e pëlqen popullaritetin dhe lavdinë!

Pas shpalljes së pavarësisë, Hashim Thaçi, si Kryeministër, një kohë ministër për Punë të Jashtme, deputet dhe president, me shumë sukses arriti ta pajisë Kosovën me letërnjoftim ndërkombëtar përmes më shumë se 115 njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Thuajse e zhduku kufirin Kosovë-Shqipëri, kontribuoi shumë për të drejtat politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi.

Gjykata Speciale Raciste:

Një politikan me mentalitet dhe sjellje prej injoranti dhe mediokriteti nuk ka kapacitet të marrë vendime të mëdha për Kombin dhe Shtetin, shkaku se ia mund lakmia dhe interesi personal, familjar dhe grupor. Vetëm ai që ka vetëdije dhe përgjegjshmëri prej burrështetasi është në gjendje të marrë vendime të dobishme për Kombin dhe Shtetin, edhe nëse janë kundër tyre – e kryesisht janë kundër tyre. I tillë ishte Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli duke mbrojtur interesin kombëtar dhe shtetëror përmes vetmohimit dhe sakrifikimit personal. Rexhep Selimi ishte kundër GJSR mirëpo fatin e ka bashkërenditur me ata që e votuan këtë gjykatë… në GJSR në Hagë.

Në jetë e sidomos në politikë, i mençuri dhe i urti kërkon vetëm atë që “i takon Cezarit”, atë që mund ta ketë në bazë të investimeve që i ka bërë. Ndërkaq ata që nuk kanë bërë asgjë për Komb dhe popull, vuajnë nga nevoja e domosdoshmërisë së kompensimit për atë që nuk e kanë – njerëzoren dhe patriotizmin. Kërkesat i kanë maksimale, kurse qëllimin përfundimtar e kanë një pjatë për ta lëpirë dhe një asht për ta gërryer. Aq është investimi i tyre!

Një lojtar i mirë i shahut e sakrifikon mbretëreshën për ta fituar lojën. Një patriot dhe burrështetas i mençur e sakrifikon veten për Kombin dhe Shtetin. Një lojtar i keq i shahut e jep mbretëreshën për ta fituar figurën e kalit mbi të cilin do të hypë, si Don Kishoti mbi Rosinantin. Don Kishotët kosovarë nuk dinë çka është shteti apo kombi, andaj i bëjnë rrush e kumbulla.

Çka na mësoi intervista e Hashim Thaçit:

Asgjë të veçantë për njohësit e rrethanave të burgut dhe psikologjinë e një të burgosuri që ka një qëllim për të mbrojtur, dinjitet dhe përgjegjësi ndaj këtij qëllimi dhe dinjiteti. Historikisht, që nga Greqia antike, Perandoria Romake e deri më sot, dihet se veprat më të mëdha shkencore, letrare, artistike, kulturore dhe të tjera janë shkruar ose në burg ose gjatë internimit, brenda dhe jashtë vendit. Në këtë nënqiell e shoh edhe intervistën e Hashim Thaçit.

Të ngjashme