Ministrja në detyrë e Drejtëisë Albulena Haxhiu kritikoi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që kërkoi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Sipas logjikës së PZAP-it, edhe kryeterroristi Milan Radoiçiq do të duhej të certifikohej për pjesëmarrje në zgjedhje. Një absurditet i frikshëm!”, shkroi në Facebook, Haxhiu.
PZAP në vendim ka konstatuar se Lista Serbe brenda afatit të paraparë me ligj ka paraqitur kërkesën për konfirmim të listës së kandidatëve për këshilltarë në 19 komuna dhe kandidatëve për kryetar komune nga 11 komuna përmes platformës online llogarisë së tij të përdoruesit në Zyrën për Regjistrim, Certifikim, Konfirmim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRKKFSP).
PZAP tutje në vendim thekson se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka të drejtë të refuzojë ose të mos certifikojë në mënyrë arbitrare, pa shpjegime, një subjekt politik ose kandidat.
Me këtë sjellje, sipas PZAP-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shkeli si nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parashikon të drejtën për një vendim të arsyetuar, ashtu edhe nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, i cili parashikon se “1. Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe në ditën e zgjedhjeve, ka të drejtë të votojë dhe të zgjedhë, përveç nëse kjo e drejtë kufizohet me vendim gjykate. Këto norma kushtetuese të cituara më sipër rregullojnë të drejtën aktive dhe pasive të votës, dhe përcaktojnë se kushdo që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të marrë pjesë në zgjedhje si votues, të votojë, që është një komponent aktiv i kësaj të drejte, dhe të zgjidhet, që do të thotë të kandidojë për poste në zgjedhje, që është një komponent pasiv i kësaj të drejte”.