– A është kthyer në zero procesi i zgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve?
– A është kthyer në zero procesi i zgjedhjes së dy nënkryetarëve nga komunitetet jo-shumicë?
– A është kthyer në zero vetëm procesi i zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb?
– Si do të vazhdohet me votimin: veçmas, në “pako” – njëherë tre dhe pastaj dy, si deri tani – apo të gjithë pesë nënkryetarët në një pako të përbashkët?
– A ka sqaruar Gjykata se çfarë ndodh nëse njëri nga grupet parlamentare me të drejtë nominimi refuzon ose nuk ka mundësi të paraqesë kandidat për nënkryetar?
– A ka sqaruar Gjykata se çfarë ndodh nëse asnjëri nga kandidatët e propozuar nuk i merr 61 vota?
– A ka sqaruar Gjykata se si do t’i detyrojë deputetët të votojnë pro një kandidati të caktuar, duke qenë se votimi është thelbësor dhe jo ceremonial?
Pa këto sqarime, vendi futet në një zonë ku vetoja procedurale bëhet reale dhe armë kundër shtetit.
Vetëm nëse Gjykata, në arsyetimin e plotë, e bën të qartë që konstituimi i Kuvendit nuk mund të bllokohet as nga mungesa e nominimit, as nga dështimi për të siguruar 61 votat e nevojshme, atëherë nuk ka arsye për shqetësim apo frikë nga vetoja procedurale.
Të gjitha këto do të kuptohen vetëm kur të publikohet Aktgjykimi. Gjykata ka pasur kohë të mjaftueshme dhe sot ka mundur t’i mbyllë të gjitha spekulimet. Kjo praktikë e vonesave, si në telenovelat e dikurshme ku duhej pritur një javë për episodin e radhës, është e pakuptimtë.
E kam një ndjenjë të keqe se gjërat nuk janë menduar si duhet, por megjithatë apeloj për durim, qetësi dhe vigjilencë. Kemi pritur deri tani – le të presim edhe pak.