Mijëra palestinezë të zhvendosur po kthehen në këmbë në veri të Gazës, vetëm disa orë pasi ushtria izraelite njoftoi se marrëveshja e armëpushimit dhe tërheqja e trupave izraelite kishte hyrë në fuqi.
Pamjet e publikuara tregojnë turma të mëdha njerëzish duke mbajtur mbi shpinë atë që ka mbetur nga gjërat e tyre.
“Falë Zotit shtëpia ime është ende në këmbë. Por fatkeqësisht vendi është shkatërruar, shtëpitë e fqinjëve të mi janë shkatërruar, lagje të tëra janë shkatërruar”, tha Ismail Zaida, 40 vjeç, në zonën Sheikh Radwan.
Armëpushimi pritet të shoqërohet me një rritje të ndihmës humanitare në Rripin e Gazës. Sipas Radios Ushtarake Izraelite, 600 kamionë me ndihma humanitare do të lejohen të hyjnë çdo ditë.
Stafi mjekësor ka njoftuar se do të përdorë periudhën e armëpushimit për të filluar marrjen e trupave të bllokuar nën rrënoja. Dhjetëra mijëra trupa vlerësohet se kanë mbetur nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.
Pavarësisht tërheqjes së forcave izraelite nga disa zona, qasja në shumë pjesë të qytetit të Gazës është ende e kufizuar dhe frika vazhdon se qetësia e brishtë mund të jetë e përkohshme.