Kryeministri i Francës e fiton votëbesimin pak ditë pasi u riemërua

Prishtinë | 16 Tet 2025 | 17:04 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, u mbijetoi të enjten dy mocioneve të votëbesimit, vetëm disa ditë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij qeveritar dhe e kishte bërë një lëshim të rëndësishëm politik për të qëndruar në pushtet.

Votëbesimi pasoi vendimin e Lecornut të martën për ta mbështetur pezullimin e reformës së vitit 2023 për pensionet, në përpjekje për ta mbajtur kabinetin e tij mjaftueshëm gjatë për ta miratuar një buxhet kursimesh deri në fund të vitit.

Partia Socialiste (PS) e krahut të majtë kishte kërcënuar se do të votonte për rrëzimin e kryeministrit nëse ai nuk do të pranonte ta pezullonte reformën, sipas të cilës, mosha e pensionimit do të zgjerohej nga 62 në 64 vjeç.

Pa mbështetjen e PS-së, dy mocione të ndara të paraqitura të enjten nga partia e majtë ekstreme, Franca e Panënshtruar,dhe ajo e djathtë ekstreme, Tubimi Kombëtar, nuk arritën numrin e votave të nevojshme për ta rrëzuar Lecornun.

Pas votimit, Lecornu tha se është i gatshëm ta “fillojë punën” për bisedimet buxhetore, që pritet të fillojnë në Parlament javën e ardhshme.

“Mund ta shihni se sa serioze është situata… Debatet duhej të fillonin”, tha kreu i Qeverisë për BFMTV.

Por, lideri socialist Olivier Faure paralajmëroi se partia e tij mund ta mbështesë përsëri një mocion për rrëzimin e Qeverisë.

“Nëse Qeveria nuk i përmbush angazhimet e saj, veçanërisht për pezullimin e reformës së pensioneve, ne do të votojmë menjëherë kundër kabinetit”, tha Faure në X.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e eurozonës, është futur në një paralizë politike qëkurse presidenti Emmanuel Macron shpalli zgjedhje të parakohshme vitin e kaluar, me synimin për të konsoliduar pushtetin e tij.

Por, zgjedhjet rezultuan me një Parlament të bllokuar dhe me rritje për të djathtën ekstreme.

Të ngjashme