Në një kohë kur ekonomia po ndryshon me ritme të shpejta dhe transformimi digjital po bëhet domosdoshmëri për çdo ndërmarrje, Banka për Biznes (BPB) në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) organizuan eventin “Lead the Future: Young. Digital. Green”, një ngjarje e dedikuar bizneseve kosovare, që mblodhi së bashku ndërmarrës, ekspertë dhe përfaqësues institucionesh për të diskutuar mbi të ardhmen e zhvillimit ekonomik dhe qëndrueshmërinë, raporton Ekonomia Online.
Ky event solli në qendër të vëmendjes transformimin digjital, inovacionin dhe fuqizimin e të rinjve ndërmarrës, duke theksuar rolin që mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kanë në strukturën e ekonomisë kosovare. Në hapje, Kryeshefja Ekzekutive e BPB-së, Mimoza Godanci Aliu, vuri në dukje përkushtimin e bankës për të mbështetur bizneset që synojnë të jenë të gatshme për të ardhmen.
“Në BPB, ne besojmë se e ardhmja u përket atyre që guxojnë të udhëheqin ndryshimin, që përshtaten me sfidat e kohës digjitale, dhe krijojnë vlerë të qëndrueshme duke nxitur inovacionin. Ekspertët që kemi mbledhur sot këtu, dhe ndërmarrësit që ndanë përvojën e tyre, sollën aspekte të ndryshme të këtij procesi sa të nevojshëm aq edhe të pashmangshëm për secilin nga ne,” u shpreh Godanci Aliu.
Gjatë eventit, u nënshkrua linja e re e kredisë në kuadër të programit “Youth in Business”, që synon të mbështesë bizneset e udhëhequra nga të rinjtë në Kosovë. Vetëm gjatë dy viteve të fundit, përmes këtij programi janë shpërndarë 4.5 milionë euro, duke mundësuar zhvillimin e qëndrueshëm të dhjetëra bizneseve të reja. Marrëveshja u nënshkrua nga Maslichenko dhe Godanci Aliu në prani të përfaqësuesve nga BE-ja dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.
Sergiy Maslichenko, Udhëheqësi i BERZH-it për Kosovën, u shpreh se: “Ndërmarrësia e të rinjve është jetësore për rritjen e ardhshme ekonomike të Kosovës. Duke mbështetur BPB-në për zgjerimin e kreditimit për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme të udhëhequra nga të rinjtë, ne po ndihmojmë për çlirimin e mundësive për inovacion, krijim të vendeve të punës dhe zhvillim gjithëpërfshirës në Kosovë.”
Po ashtu, u prezantua programi tjetër strategjik i BERZH-it që BPB e implementon në mënyrë ekskluzive në tregun bankar kosovar — “Go Digital”, i cili synon të avancojë proceset e digjitalizimit, të mbështesë kalimin drejt një ekonomie të gjelbër dhe të forcojë kapacitetin konkurrues të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Gjatë gjithë ditës, pjesëmarrësit patën mundësinë të dëgjojnë një sërë diskutimesh frymëzuese nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, që sollën njohuri praktike mbi mënyrën se si bizneset mund të përshtaten me transformimet e kohës sonë. Temat si transformimi digjital, inovacioni gjithëpërfshirës dhe marketingu i sjelljes u trajtuan jo vetëm si koncepte moderne, por si mjete konkrete për rritjen dhe qëndrueshmërinë e bizneseve kosovare.
Andrea Pestarino, drejtor në RINA Consulting, foli mbi rëndësinë e digjitalizimit dhe rolin që ai luan në zhvillimin e bizneseve të sotme. Ai theksoi se digjitalizimi nuk është proces i teknologjisë, por i njerëzve, sepse transformimi fillon nga mënyra si mendojmë dhe veprojmë. “Teknologjia është vetëm një mjet; ajo merr kuptim kur njerëzit janë të trajnuar dhe të përfshirë në proces,” u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën që bizneset të investojnë në zhvillimin e aftësive digjitale të ekipeve të tyre.
Diskutimi vijoi me një bisedë të hapur mes Argjira Kadrijaj Dushi, Udhëheqëse e Biznesit Retail dhe Bankimit Digjital në BPB, dhe Jacek Kubas, Kryetar i Digital Hub në BERZH. Ata folën mbi konceptin e inovacionit gjithëpërfshirës dhe rëndësinë e krijimit të një transformimi digjital që përfshin të gjithë, pavarësisht madhësisë së biznesit apo nivelit të zhvillimit teknologjik.
Diskutimi u përmbyll me një reflektim të thellë mbi thelbin e inovacionit. Duke kujtuar fjalët e Platonit se “nevoja është nëna e shpikjes”, ata theksuan se nevoja më e madhe e kohës sonë nuk është më vetëm efikasiteti apo fitimi, por përfshirja dhe qëndrueshmëria. Transformimet digjitale dhe të gjelbra, u tha, nuk janë rrugë të ndara, por pjesë e një misioni të përbashkët për ta bërë përparimin kuptimplotë dhe të qasshëm për të gjithë. “Inovacioni nuk ka të bëjë vetëm me krijimin e diçkaje të re, por me krijimin e diçkaje që u shërben njerëzve dhe planetit,” u theksua në përfundim.
Një ndër momentet e rëndësishme të ditës ishte paneli “Breaking Barriers: Challenges and Opportunities for Young Entrepreneurs”, me pjesëmarrjen e Leonora Kusari nga BERZH, Valon Canhasi, themelues i Hallakate, dhe Donika Loci, sipërmarrëse e re e suksesshme. Diskutimi solli perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe mundësitë e ndërmarrësve të rinj në Kosovë.
Valon Canhasi ndau eksperiencën e tij shumëvjeçare si biznes që ka thyer barriera dhe ka ndërtuar një model të qëndrueshëm në tregun digjital. Leonora Kusari theksoi mundësitë dhe mbështetjen që BERZH ofron si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë këshillues, ndërsa Donika Loci ndau historinë e saj si e re në biznes dhe ndikimin që programi Youth in Business ka pasur në zgjerimin e aktivitetit të saj.
Në mbyllje, Dalibor Šumiga, ekspert i njohur i marketingut të sjelljes dhe themelues i agjencisë Promosapiens, solli një prezantim interaktiv me audiencën mbi mënyrën se si bizneset mund të ndërtojnë brende që mbahen mend dhe që lidhen emocionalisht me klientin. Ai theksoi rëndësinë e njohjes së klientit, mbushjes së hendeqeve ekzistuese në treg dhe guximit për të qenë kreativ. “Një brend i suksesshëm lind kur biznesi del jashtë zonës së komforit dhe krijon diçka me kuptim të vërtetë për njerëzit,” theksoi ai, duke lënë audiencën me një mesazh të fuqishëm për kreativitet dhe guxim.
Në fund të ditës, pjesëmarrësit patën gjithashtu mundësinë të zhvillonin takime individuale me ekspertët e BERZH dhe BPB, ku diskutuan sfida specifike të bizneseve të tyre dhe morën këshilla praktike mbi digjitalizimin, qasjen në financa dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Këto takime sollën vlerë konkrete për bizneset dhe e kthyen eventin në një platformë të vërtetë bashkëpunimi dhe zhvillimi profesional.
Eventi “Lead the Future: Young. Digital. Green.” u përmbyll me frymë bashkëpunimi dhe optimizmi për të ardhmen. Ai dëshmoi se kur bashkohen vizioni, njohuria dhe përkushtimi, krijohen mundësi të vërteta për ndryshim.
Në fjalën përmbyllëse, përfaqësuesit e BPB-së dhe BERZH-it theksuan se misioni i përbashkët mbetet i qartë: të mbështeten bizneset e reja, të fuqizohet inovacioni dhe të ndërtohet një ekonomi e qëndrueshme që u shërben njerëzve dhe komunitetit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese, pjesëmarrësit u larguan me ide të reja, kontakte të vlefshme dhe energji për të ndërmarrë hapat e radhës drejt së ardhmes së bizneseve të tyre — një të ardhme që është e re, digjitale dhe e gjelbër.



