ohan Ekermani ka shkruar një thënie të Gëtes se shkrimtari s’duhet ta marr penën të shkruaj, nëse nuk synon që fjalët e tij të lexohen nga të paktën një milion lexues.
Askush, përpos ndonjë autori të çuditshëm s’do të binte dakord me këtë pohim. Natyrisht që një romancier dëshiron të lexohet. Vetëm, nëse nuk është shkrimtar popullor, mund të mos jetë i kënaqur me idenë se duhet t’i gjejë. Nuk do të dojë të kushtëzohet prej tyre, përkundrazi, t’u tregoj se çfarë ata duhet të jenë.
Dhe do që lexuesit të hamendësojnë atë që hamendëson personazhi i tij i trilluar. Kur një personazh plagoset, lexuesi duhet të ndiej dhimbje. Kur personazhi bën një premtim, lexuesi duhet të ndiejë parimet themelore të këtij zotimi.
Kur Lordi Xhim hidhet në ujë, lexuesi duhet të kuptojë se nderi është humbur. Duke mos pasur një ndjenjë nderi, ai s’mund ta pranojë çastin dramatik.
Qëllimi i shkrimtarit, kësisoj, është t’i jap lexuesit një ndjesi të peshës së çdo veprimi. Shkrimtari s’mund të jetë i sigurt se një milion lexuesit e tij do ta shohin çfarë lexojnë njësoj si ai.
Prandaj shkrimtari përpiqet ta përcaktojë një lexues të caktuar. Duke hamendësuar se çfarë është ajo të cilën të gjithë njerëzit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të bien dakord për të, ai krijon një lloj njerëzimi, një version të tij të përbërë nga shpresat dhe realitetet me përmasa që ndryshojnë sipas shkallës së tij të optimizmit.
Nietzsche deklaroi në “Njerëzor, tepër njerëzor” se artistët e teprojnë vazhdimisht me vlerën e personalitetit. Sigurisht që teprimi është domosdoshmëri dramatike, dhe thjeshtëzimi gjithashtu. Nëse një hero është i parëndësishëm edhe fati i tij s’ka rëndësi. Nëse një jetë e vetme ka sadopak rëndësi, vdekjet nuk janë veçanërisht frikësuese.
Në mbrojtje të elementit dramatik, rrjedhimisht, shkrimtari ka këmbëngulur shpesh që t’i jepte një vlerë të caktuar realitetit. Në këtë drejtim shkrimtarët janë konservatorë, duan që marrëveshjet e vjetra dhe mirëkuptimi të zgjasin.
Personazhi yt keqbërës s’mund ta shantazhojë heroin tënd nëse heroi yt nuk shquhet të jetë nga ata që që mbrohet. Heroina jote s’mund të presë që dikush të vdesë në mbrojtje të dëlirësisë së saj nëse askush s’e vlerëson dëlirësinë. Ndonjëherë një romancier është në gjendje të bëj të qëndrueshëm një sistem të tërë të krijuar plotësisht nga imagjinata e tij. Për shembull, Balzaku qëndron mu në mes të shoqërisë, një inteligjencë laike e aftë të interpretojë gjithçka. Mençuria e tij është e pashtershme.
Ai kurrë nuk është i pasigurt për teoritë, fiziologjike, psikologjike, politike, historike, estetike dhe shpjegon çdo dukuri me besim. Për të shkruar letërsi Balzaku zotëron, ose mëton se zotëron të gjithë përvojën. Edhe tek Tomas Mani shihet kjo metodë enciklopedike në fazën e shterimit.
Për të vërtetuar faktet, për t’ju bërë t’i shihni siç i sheh ai, shkrimtari bëhet, ose përpiqet të bëhet, ekspert në disa fusha: biologji dhe psikologji, filozofi dhe muzikë, arkeologji dhe histori, dhe të gjitha kështu që ne të ndihemi ashtu si ndihet ai në çdo përjetim të dhënë.
Ne s’mund të vazhdojmë të ndërtojmë në çdo roman sisteme të tilla totale në mënyrë që të gjithë të dinë se çfarë, për shembull, një grua përjeton kur i shoqi e braktis, çfarë ndjen njeriu në shtratin e vdekjes. Duhet të guxojmë të besojmë në unitetin psikik të njerëzimit.
Por sigurisht njerëzit, lexuesit s’do të hamendësojnë gjithmonë atë që hamendësojmë ne, pasi Uollt Uitmani na ngjall besim. Shumica e gjërave që të gjithë njerëzit duhet të jenë në gjendje të kuptojnë janë mjaft të thjeshta, dhe është befasuese se sa mëson për shformimin e perceptimit gjatë shkrimit të një libri. Mëson në radhë të parë se sa e vështirë është t’i bësh njerëzit t’i kushtojnë vëmendje të tjerëve si qenie shumë përmasore dhe të ndërlikuara.
Një arsye e mundshme për këtë është se jemi kaq shumë, dhe është e vështirë, në mos e pamundur t’i kushtosh secilit vëmendjen e nevojshme. Nëse kërkon më shumë vëmendje, të shohin si mendjemadh dhe që të ka hyrë vetja në qejf. /Hejza