LVV fton deputetët: Me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance

Prishtinë | 18 Nën 2025 | 18:54 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se grupi i saj parlamentar ka thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për nesër në orën 11:00, ku pritet të diskutohen disa nga çështjet më urgjente fiskale dhe institucionale të vendit.

Sipas njoftimit, seanca do të përfshijë debat për buxhetin e vitit 2026, si dhe buxhetin për RTK-në dhe për disa komuna. Po ashtu, në rend dite janë edhe pesë pika që trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, përfshirë 90 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian.

“Ftojmë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që me racionalitet e maturi t’i përgjigjen kësaj seance dhe kësisoj të votojnë këto ligje e marrëveshje të rëndësishme, që vendi të mos përballet me sfida të tilla dhe kështu të ecim përpara,” thuhet në komunikatën.

Në postim, LVV kujton edhe një moment të ngjashëm nga e kaluara politike.

“Kujtojmë se në vitin 2020 Lëvizja VETËVENDOSJE! pati votuar për buxhetin e vitit 2021 edhe pasi Gjykata Kushtetuese e pati rrëzuar, shpallur jokushtetuese Qeverinë Hoti dhe vendi po shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare,” theksohet në njoftim.

Seanca e nesërme pritet të jetë vendimtare për çështje të rëndësishme financiare dhe për sigurimin e fondeve ndërkombëtare që prekin zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Të ngjashme