Teatri Kombëtar i Kosovës paralajmëron premierën e shfaqjes “Nyja e Gidionit”

Prishtinë | 20 Dhj 2025 | 15:23 | Nga Ekonomia Online

Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur se shumë shpejt do të sjellë për publikun premierën e shfaqjes më të re teatrore, “Nyja e Gidionit”, një vepër dramatike që trajton përballjen e drejtpërdrejtë mes dy grave, ku fjala dhe heshtja marrin peshë vendimtare.

Sipas njoftimit të TKK-së, shfaqja ndërtohet mbi një dialog intensiv, ku e vërteta shfaqet si një nyjë e vështirë për t’u zgjidhur, duke eksploruar konfliktet emocionale dhe psikologjike mes personazheve. Vepra vë theksin te fuqia e komunikimit, tensionet e brendshme dhe pasojat e fjalëve të thëna apo të pathëna, transmeton KultPlus.

Regjia e shfaqjes mban firmën e Hana Qenës, ndërsa në role interpretojnë Irena Aliu dhe Maylinda Kosumovic. Ekipi krijues përfshin gjithashtu dramaturgen Zoga Çeta Çitaku, kostumografen Hana Zeqa, skenografin Burim Arifi, kompozitorin Ger Kacerja, asistenten e regjisë Fluturë Nishori, si dhe Flaka Kokollin për animacionin.

“Nyja e Gidionit” pritet të jetë një nga shfaqjet më të spikatura të sezonit në Teatrin Kombëtar të Kosovës, duke ofruar një teatër intim dhe reflektues për publikun. Data e premierës dhe orari i shfaqjeve do të bëhen të ditura në ditët në vijim.

Të ngjashme