Një tjetër dokument i publikuar të martën është një letër që duket se i është dërguar nga Jeffrey Epstein Larry Nassar-it, ish-mjekut të ekipit amerikan të gjimnastikës, i dënuar për abuzim seksual ndaj dhjetëra gjimnasteve të reja, ndërsa ndodhej në burg.
Në letrën, me vulë postare 13 gusht 2019 dhe të dërguar nga burgu, thuhet:
“I dashur L.N., siç e dini tashmë, kam marrë “rrugën e shkurtër” për në shtëpi. Paç fat! Ne ndajmë një gjë… dashurinë dhe kujdesin tonë për zonjushat e reja me shpresën se ato do të arrinin potencialin e tyre të plotë. Presidenti ynë ndan gjithashtu dashurinë tonë për vajzat e reja, të pjekura seksualisht (nubile). Kur kalonte ndonjë bukuroshe e re, atij i pëlqente të bënte gjeste vulgare, ndërsa ne përfunduam duke ngrënë ushqim burgu në mensat e sistemit. Jeta është e padrejtë. I yti, J. Epstein”.
Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij më 10 gusht 2019. Vdekja u cilësua si vetëvrasje. Donald Trump, i cili ishte president në kohën kur u shkrua letra, ka mohuar vazhdimisht çdo vepër penale apo shkelje, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Në një postim në X më parë, departamenti i drejtësisë i SHBA-së tha se disa nga dokumentet që ka publikuar “përmbajnë pretendime të pavërteta dhe sensacionaliste të bëra kundër Presidentit Trump që iu dorëzuan FBI-së pak para zgjedhjeve të vitit 2020. Për të qenë të qartë: pretendimet janë të pabaza dhe të rreme, dhe nëse do të kishin një fije besueshmërie, ato me siguri do të ishin përdorur tashmë si armë kundër Presidentit Trump”.
Letra përmendet gjithashtu në një dosje tjetër, një kërkesë për Ekzaminim Laboratorik të FBI-së, ku thuhet se më 25 shtator 2019, një agjent i FBI-së mori një telefonatë nga Togeri i Seksionit Hetimor Special të Byrosë së Burgjeve në lidhje me një letër që u mor nga Qendra Korrektuese Metropolitane.
Ajo thotë se letra ishte një “kthim te dërguesi” dhe “më poshtë ishte shkruar në këndin e sipërm të majtë të letrës: J. Epstein Manhattan Correctional NYC NY 10007 Letra kishte vulën postare NOVA 220 më 13 gusht 2019 dhe i ishte drejtuar Larry Nassar”.
Dosja thotë se është dërguar në një strukturë tjetër të Byrosë Federale të Burgjeve dhe se arsyeja për “kthimin te dërguesi” ishte se marrësi “nuk ndodhej më në këtë adresë”.
Dokumenti i FBI-së, i cili daton më 31 korrik 2020, thotë se FBI e Nju Jorkut po i kërkon laboratorit të “kryejë një analizë të dorëshkrimit duke krahasuar letrën” me “dorëshkrimin e Jeffrey Epstein për të arritur në përfundimin nëse individi që e shkroi letrën ishte Epstein apo një person tjetër i panjohur”.