Përralla e radhës: 7 arsyet pse 500 euro shtesë është një “karem” elektoral që do t’i kushtojë shtetit miliona

Prishtinë | 24 Dhj 2025 | 15:35 | Nga Dardan Sejdiu

Pas përrallës me 85 mijë vende pune, doli në treg përralla e radhës: Shteti do të japë 500 euro për çdo grua që punësohet me pagë 500 euro nga biznesi, duke e bërë pagën 1,000 euro.

Në shikim të parë, kjo duket si mrekulli. Në realitet, është një mashtrim i madh që e shkatërron tregun e punës dhe i avullon paratë e tatimpaguesve brenda 48 orëve. Lexoni mirë, sepse duhet ta kuptoni të vërtetën për këtë “Mrekullinë e 1,000 Eurove”.

Nëse një shok ju vjen me një ide për “pasurim të shpejtë”, ku ju premton se do t’i dyfishojë paratë tuaja çdo muaj duke përdorur kuletën e dikujt tjetër, secili prej jush do të ikte vrap. Por, kur Qeveria në detyrë e premton këtë, ata e quajnë “politikë progresive ekonomike”.

Propozimi që shteti të paguajë 500€ të pagës, me kusht që biznesi të paguajë 500€ e tjera, po shitet si kthesë historike. Në realitet, ky është një “Karem” i përkohshëm. Ky propozim do t’i krijojë sektorit privat një problem masiv, do të shkatërrojë moralin e punëtorëve ekzistues dhe do t’i dërgojë paratë tona drejt e në xhepat e prodhuesve në Serbi, Maqedoni, Gjermani e Turqi.

Më lejoni ta zbërthej pse ky propozim nuk është thjesht i gabuar, por është një mashtrim i rrezikshëm:

  1. Kurthi i “Punës me Afat Skadimi”

Në një ekonomi të shëndoshë, një vend pune krijohet sepse shkathtësitë e dikujt gjenerojnë vlerë. Nëse një biznes punëson një grua vetëm sepse shteti mbulon 50% të faturës, ajo punë nuk është reale. Është një “Vend pune me afat skadimi”.

Kuptojeni logjikën e biznesit: Pse mos të marrë një punëtore “falas” për një vit? Por, momentin që ndalet subvencioni, kostoja e asaj punëtoreje për kompaninë praktikisht dyfishohet brenda natës. Përveç nëse ajo bëhet dy herë më produktive brenda 12 muajve (gjë që është e pamundur), biznesi do të bëjë atë që bën çdo biznes racional: ia përfundon kontratën ose e zëvendëson me çmim real të tregut.

Gratë do të përdoren për të kapur grantin dhe do të largohen ditën që mbaron “top-up”-i. Kjo nuk ndërton karrierë; kjo ndërton një cikël edhe më serioz të pasigurisë.

  1. Motori i urrejtjes dhe ftesa për mashtruesit

Paramendoni se jeni menaxher në një firmë private në Gjilan. Keni një punëtore të mirë, që punon që 10 vite me ju. Ajo është e kualifikuar dhe fiton 750€ në muaj, pagë mbi mesataren.

Tash, falë subvencionit, ju punësoni një grua të re me përvojë zero. Për shkak të qeverisë, paga e saj fillestare është 1,000€.

Urime, sapo ia keni shti flakën biznesit tuaj! Sapo e shkatërruat idenë se njerëzit paguhen në bazë të meritës. Çka i thuani punëtores me 10 vite përvojë? Pse të angazhohet dikush, kur “vajza e re” merr më shumë vetëm sepse ka letërnjoftimin e duhur dhe një subvencion politik? Kjo politikë ndëshkon punëtorët e mirë dhe besnikë dhe shpërblen mashtrimin momental.

  1. “Avullimi” i parasë brenda 48 orëve

Kosova ka një deficit tregtar që po e shkatërron vendin. Ne importojmë mbi 80% të asaj që konsumojmë. Kur qeveria injekton 500€ kesh në xhepin e një konsumatori në një ekonomi që nuk prodhon pothuajse asgjë, ato para nuk qëndrojnë këtu në Kosovë. Ato “rrjedhin” jashtë vendit brenda 48 orëve.

Në vend se të ndërtojë prodhimin vendor, qeveria po subvencionon fabrikat në Serbi, Maqedoni e Turqi. Ne po i marrim paratë e tatimpaguesve kosovarë dhe po ua dorëzojmë prodhuesve të huaj. Ky është një transfer masiv i pasurisë jashtë Kosovës.

  1. Arkivoli i Prodhimit

Që Kosova të mos jetë më një “ishull importi”, duhet të konkurrojë me rajonin. Në Maqedoni, paga mesatare neto është rreth 725€. Në Serbi, rreth 930€. Nëse Kosova i rrit pagat artificialisht në 1,000€ përmes subvencionit, ajo krijon “ballona elektoralë”.

Asnjë prodhues, as i huaj e as vendor, nuk ndërton fabrikë ku dyshemeja e pagave mbahet lart me zorr nga qeveria. Investitorët kërkojnë produktivitet real. Kur subvencioni të përfundojë, Kosova do të mbetet me një fuqi punëtore që pret 1,000€ pagë, por ka produktivitetin e një ekonomie prej 500€. Kështu, ne i nxjerrim njerëzit tanë jashtë tregut rajonal.

  1. “Karamela” Elektorale vs. Infrastruktura

Buxheti i vitit 2026 është planifikuar të jetë rreth 4 miliardë euro. Çdo euro e shpenzuar në një shtesë të përkohshme page është një euro që nuk shpenzohet për arsyet reale pse gratë nuk punojnë.

Sipas Bankës Botërore, 74% e grave joaktive në Kosovë përmendin përgjegjësitë e kujdesit (për fëmijët ose të moshuarit) si barrierën kryesore. Ato nuk rrinë në shtëpi sepse paga është e ulët; ato rrinë sepse nuk ka kush t’ua ruajë fëmijët.

Këtu duhet ta kuptojmë dallimin mes lëmoshës dhe investimit. Njëra është “Karamela Elektorale”, një infuzion i përkohshëm parash që krijon varësi nga qeveria dhe të jep një “ëmbëlsirë” që zgjat vetëm sa fushata, por nuk të ngop. Tjetra është “Infrastruktura Prodhuese”, ndërtimi i çerdheve dhe mbështetja e fabrikave që krijojnë zgjidhje të përhershme.

Kur qeveria jep kesh, paratë harxhohen te marketi i lagjes për mallra importi dhe gruaja kthehet sërish në shtëpi sapo të ndalet subvencioni. Por, kur shteti ndërton çerdhe, ai e liron gruan të punojë në tregun real për 20 vitet e ardhshme, jo vetëm deri ditën e zgjedhjeve.

  1. Mashtrimi i pastër

Kjo politikë është minierë ari për mashtruesit. Një pronar biznesi “punëson” motrën, gruan ose kushërirën që rri në shtëpi. Ai ia paguan asaj 500€ (të cilat ajo thjesht ia kthen në kesh), dhe qeveria i dërgon atij një çek prej 500€ çdo muaj.

Sapo e “trajtuan” sistemin për 6,000€ fitim në vit. Pa një ushtri inspektorësh, kjo do të shndërrohet në një skemë masive të nxjerrjes së keshit nga buxheti i shtetit.

  1. Përralla Politike (Numerologjia)

Kjo politikë është përkufizimi i “Numerologjisë”. Është projektuar për t’u dukur bukur në Facebook, por dështon në çdo logjikë zhvillimore. Kurti injoron 113,000 njerëzit që kanë ikur nga vendi që nga viti 2021. Njerëzit nuk ikin se s’ka subvencione “një herë në jetë”; ikin sepse “Ekonomia Reale” po zëvendësohet nga një përrallë me vitra.

Ky është një mashtrim elektoral që shkëlqen për një sekondë, derisa shteti po na rrënohet para syve. Shifrat nuk gënjejnë: 74% e grave joaktive nuk kanë ku t’i lënë fëmijët, kur vetëm 19.5% e tyre kanë qasje në çerdhe. Me koston e subvencionimit të vetëm 1,000 grave, para që “avullohen” për import, shteti mund të ndërtonte 15 çerdhe të përhershme.

Në vend që të digjet buxheti 4-miliardësh në skema “një-përdorimshe”, paratë duhet të rregullojnë rrjetin energjetik. Asnjë investitor nuk vjen në Prizren a Gjilan për vitra, nëse fabrika e tij mbetet në terr. Matematika është e qartë: infrastruktura dhe prodhimi ndërtojnë shtet, subvencionet vetëm blejnë kohë deri në emigrimin e radhës.

Ky është ryshfet afatshkurtër i maskuar si strategji. Nuk ndërton asgjë. Nuk zgjidh asgjë.

Matematika nuk gënjen. Politika po.

Të ngjashme