Nuk krisën tupanat e luftës, as nuk pat ndonjë krizë spektakolare. Kosova thjesht u fik kadale, tu pritë SMS-in e rradhës nga Western Union-i.
Pranverë, 2040. S’ki nevojë me hi n’faqe t’ASK-së, as me hapë Excel-in me e marrë vesh kah po shkon ky vend. Mjafton me dalë te oborri i ni shkolle fillore n’Prishtinë, n’pikë t’sabahut, ora 08:00.
Oborri i pastër. Flamuri n’shtizë, tu valu. Arsimtarët t’përpiktë si gjithë, s’guxojnë me u vonu. Veç ni send po mungon: zhurma. S’ka fëmijë.
Klasat janë tkurrë. Jo pse na u tek me bë reforma e me rritë cilësinë. Jo. Janë tkurrë se s’ka kush me hi mrena. Do s’kanë lindë hiç. Do tjerë kanë lindë, po tash janë n’Düsseldorf, tu folë gjermanisht.
Një nanë n’cep t’oborrit. S’po e pret fëmijën me dalë prej orës, po e pret telefonin me dridh. E din që sot i vjen SMS-i prej burrit që punon në Gjermani. Ato pare e mbajnë shtëpinë. N’letër figuron “e papunë/inaktive”. N’realitet? Punon pa ndal, tu u kujdes për krejt, me remitanca, por pa siguri.
Shkon deri në aeroport. Aty gjithmonë ka gjallni, po është gjallni e zorit. Ni djalë i ri, me çantë shpine, e kqyr pasaportën nja tri herë a e ka me veti. Doktor, infermier a inxhinier, pak rëndësi ka. Mbiemri i tij për ambasadë është veç “projekt”. Taksisti përballë, tu e pa skenën, ia kthen: “Hajt, rruga e mbarë”.
Në Kosovë, kjo “rruga e mbarë” u bë strategjia jonë ma e fortë zhvillimore.
Diku n’ni lagje t’vjetër, ni plak rri te dera e shtëpisë. E pret çikën me ardhë. Po ajo s’vjen sot. S’mundet. Ka fëmijë, ka punë shpie, i ka 100 derte. S’ka kush e zëvendëson.
Kosova nuk u rrezua me zhurmë. S’pat ndonjë krizë t’madhe që del n’CNN. Kosova thjesht u tha. U mësu me ecë çalë. E ma e keqja, u mësu me i thanë këtij sakatllëku “normalitet”.
Kjo është, shkurt e shqip, tragjedia e 2040-ës: Kosova s’pëlciti. Kosova rrodhi gjak kadale, tu i marrë do vendime politike qesharake e tu i mshele sytë. E kthyem gurbetin e remitencat në sistem social (pse me ndreq shtetin kur dërgon vëllau?). E kthyem punën e papagume t’grave në burg shtëpiak. Edhe kësaj i thamë “stabilitet”.
Shteti, si karakter, u bë narkoman i duartrokitjeve t’shpejta. Alergji prej punës t’madhe e t’gjatë. Investimet kapitale i trajtojke si hobi t’vikendit. Prodhimin vendor si batutë në kabinet. Krizën e përdorke si skenë për me bë sfilatë patriotike.
Nëse doni me e ditë qysh na gjeti belaja, kqyreni pak vitin 2024. Aty u dhez alarmi, po na ishim nxanë tu u rreh n’Facebook, TIk-Tok, zgjedhje pa fund e lojë tradhtari e patrioti.
E zbrazëm vendin. Veç n’2024, Agjencia e Statistikave tha se rreth 40 mijë vetë ikën nga Kosova. Një komunẽ e vogël komplet u avullu brenda vitit. Na e kqyrem si “vit i keq”. Jo, ai ishte standardi. Si me pasë ni gyp t’shpuar n’shpi e me thanë “le se ndalet vet”.
Diaspora u bë Bankë Qendrore. 359 mijë vetë jashtë deri n’2023. Gjysma n’Gjermani. Kur politika jote ma e fortë ekonomike është termini n’ambasadë, ti s’prodhon ekonomi, ti prodhon logjistikë e punëtor për tjerët.
Remitencat u shndërruan në qetësues kolektiv për dhimbje. 15% e BPV-së, pare t’gatshme vijnë prej jashtë. Kjo i bie: ha e pi, se pagun dikush tjetër. Dritat ndizen, kafet plot, ama fabrika ska. Kur je n’qetësues, harron që je i sëmurë.
Gratë i mshelem mrena. Pjesëmarrja e grave në punë mbeti diku te 20%. Pse? Se shteti përtoi me ndëtu çerdhe. 6 orë punë shpie gratë, burrat 3 e gjys. Kjo s’është traditë, kjo është dembelllëk institucional. Kur s’ki çerdhe, gruaja pagun faturën me karrierë.
U plakëm tu pritë. Projekcionet e thanë qysh moti: në vitin 2041 kemi me qenë pleq. Më shumë pleq se rini. Kjo s’është statistikë, kjo është shtëpia jote ku prindërit kanë mbetë vet, e ti s’ki qysh me u kujdes për ta se s’ka shtëpi pleqsh. Ka ndoshta do private që kushtojnë sa rroga jote.
Buxheti? Ha e Pi. N’2025, gati gjysma e pareve shkojshin për skema sociale e lëmoshë. Investimet kapitale? Me pikatore. E kemi ushqy t’sotmen me “karamela” politike, e kemi lënë t’ardhmen me vdekë urie.
Krejt nisi me ni refleks t’thjeshtë: kur s’ki takat (ose nerva) me ndërtu, blen qetësi.
Për çdo problem, qeveria gjuan do pare t’imëta. Për çdo krizë, ni paketë. Për çdo fushatë, rrit pensionet. Politika e “karamelave”. T’bon me u ndi mirë nja dy orë, tani t’lëshon efekti e t’kapin ethet.
Kjo na e solli belanë tjetër: kujdesi mbet n’shpi. Kur shteti s’merr erë kah shërbimet sociale, ia delegon punët gruas n’shpi. Pa kontratë, pa pagë, pa pension. Bizneset ankohen “s’ka punëtorë”, gratë rrinë shpi se s’ia vlen me punu për me pagu çerdhen!
Tani erdhi e treta: s’mësum kurgjo. Kur parja vjen prej jashtë, s’ki zorr me u bë i aftë. S’investon n’shkolla se rezultatet shihen mas 10 vjetve, e zgjedhjet janë mas 2. Kush pret 10 vjet n’Kosovë?
E n’fund, qershia mbi tortë: emigrimi u normalizu. U bë valvul shkarkimi. S’ki punë? Dil jashtë. Je i pakënaqur? Dil jashtë. Tensioni bie. Remitencat vijnë. Politika fiton kohë. Qeveria fërkon duart: ma pak njerëz, ma pak telashe, ma shumë pare.
Kështu u krijua zinxhiri. Transferet zëvendësuan shërbimet. Mungesa e shërbimeve mbylli gruan n’shpi. Mungesa e punës uli produktivitetin. Ekonomia mbeti konsumuese. Konsumi pa prodhim na bëri t’varur prej jashtë. Varësia e bëri ikjen t’vetmen zgjidhje logjike. Në Gjilan, a në Pejë, kjo s’duket si teori ekonomike. Duket si rrugë e zbrazët n’mesditë. Dyer t’mbyllura me dry.
Kthehu prapë te ai oborri i shkollës n’fund t’pranverës 2040. Topi rri n’qoshe, s’ka kush luan. Mësuesja e re, e lodht pa ia nisë dita, i palon fletat, sikur është tu e palu edhe dështimin e sistemit. Vjen mesazhi prej motrës: “U nisëm”. Edhe ni valixhe u mbyll. Edhe ni biletë “one-way” për Dusseldorf!
Kosova s’u vra prej ndonjë armiku t’jashtëm. U rraskapit prej zakonit tonë me i thanë improvizimit “zgjidhje”. Na vrau fakti që u rehatuam n’krizë. Na vrau fakti që sa herë dikush ikte, na thonim “shyqyr që pshtoi”, pa e mendu fort kush mbetet.
S’e pranuam me zorr këtë gjendje. E pranuam me “hajt se bëhet mirë”, “kismet”!