IKD për ish-deputetin Bylbyl Sokoli: Dyshime për konflikt të interesit dhe raportim të rremë të pasurisë

Prishtinë | 24 Jan 2026 | 09:33 | Nga Ekonomia Online

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka ngritur dyshime të arsyeshme për konflikt interesi dhe deklarim të pasaktë të pasurisë ndaj ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Bylbyl Sokoli.

Sipas IKD, këto dyshime janë identifikuar gjatë monitorimit të vazhdueshëm në fushën e integritetit publik, konfliktit të interesit dhe respektimit të obligimeve ligjore nga zyrtarët e lartë publikë.

Për këtë çështje, IKD ka paraqitur rastin në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në raportimin e IKD fillimisht paraqitet se në deklarimin e pasurisë “me rastin e marrjes së detyrës”, të dorëzuar më 16/05/2025, Sokoli ka deklaruar se:

Ushtron funksionin e Deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, me datë emërimi 19/04/2025;

Krahas funksionit zyrtar, ka qenë i angazhuar si “Trener i ekipit” në KF Drenica, për periudhën 01/04/2025 – 18/05/2025.

Në të njëjtin deklarim, në rubrikën “Të ardhurat vjetore personale dhe familjare”, është shënuar:

Burimi: KF Drenica

Forma: Cash

Shuma: 0.00 €

Shënim: “Vlera definohet pas përfundimit të kontratë”.

Megjithatë, IKD thekson se nga informacione publike dhe burime të hapura (raportime sportive, profile profesionale, paraqitje publike), rezulton se Sokoli ka vazhduar të ushtrojë angazhimin si trajner në KF Drenica edhe pas datës 18/05/2025, respektivisht deri në dhjetor 2025.

Andaj, IKD ka konsideruar se në rastin konkret, bazuar në Ligjin Nr. 08/l-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave (Ligji për Deklarimin e Pasurisë) dhe nenin 430.2 të Kodit Nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, ka dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale të “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Raportimi i IKD-së përmban edhe sqarimin për dyshimet për konflikt të interesit dhe për deklarim të pasurisë.

Sa i përket konfliktit të interesit, IKD thekson se sipas Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik (LPKI), në rastet kur zyrtari i lartë publik lejohet të angazhohet në organizata nga fusha e sportit, që përbëjnë OJQ, ky angazhim duhet të jetë pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç kompensimit të shpenzimeve të arsyeshme (si udhëtimi dhe shpenzime të ngjashme).

Lidhur me këtë, në raportimin e IKD, citohet neni 14 i këtij ligji: “1. Zyrtari i lartë mund të jetë anëtar i organit drejtues, me përjashtim të funksionit drejtues, të organizatës joqeveritare nga lëmi i shkencës, sportit, arsimit, kulturës, veprimtarive humanitare dhe të ngjashme pa të drejtë shpërblimi me pagesë, përveç të drejtës në kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit dhe shpenzimeve të tjera të lidhura me to”.

Më tej IKD thekson se problemi nuk është shuma e shënuar “0.00 €”, por formulimi i përdorur në deklarimin e pasurisë, konkretisht: “Vlera definohet pas përfundimit të kontratës”.

IKD konsideron se ky formulim, i vendosur në një dokument zyrtar të deklarimit të pasurisë, nuk mund të kuptohet ndryshe veçse si pritje reale për shpërblim financiar, i cili ende nuk është përcaktuar në vlerë, por është i paraparë si koncept.

Në raportimin e IKD-së theksohet se ligji nuk njeh pagesë të shtyrë, pagesë të papërcaktuar, apo pagesë që “definohet më vonë”.

Standardi ligjor është i prerë: ose nuk ka pagesë fare ose kemi shkelje. Nëse angazhimi do të ishte realisht pa pagesë, kjo do të duhej të ishte deklaruar qartë. Përdorimi i formulimit “vlera definohet” tregon qartësisht për shpërblim për punën që është duke e kryer”, thuhet në këtë raportim.

Në anën tjetër, sa i përket pretendimit të dytë për deklarim të pasaktë të pasurisë, në raportimin e IKD-së thuhet se kjo lidhet me saktësinë dhe plotësinë e deklarimit të pasurisë, që është obligim ligjor dhe jo çështje diskrecioni.

Në deklarimin e pasurisë, z. Sokoli ka deklaruar se angazhimi i tij në KF Drenica ka përfunduar më 18/05/2025. Megjithatë, nga burime publike rezulton se ai ka vazhduar të ushtrojë këtë angazhim edhe për disa muaj pas kësaj date, deri në dhjetor 2025”, thuhet në këtë raportim të IKD.

Mirëpo, IKD thekson se kjo nuk është çështje formale apo gabim teknik, por element substancial i deklarimit, sepse sipas IKD-së, lidhet drejtpërdrejt me angazhimin profesional, të ardhurat e mundshme, dhe vlerësimin e konfliktit të interesit.

Për këtë arsye, në rastin konkret, bazuar në Ligjin Nr. 08/l-108 për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave (Ligji për Deklarimin e Pasurisë) dhe nenin 430.2 të Kodit Nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, ka dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale të “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, thuhet në raportimin e IKD.

Kështu, përmes këtij raportimi, IKD ka kërkuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit që të iniciojë procedurë zyrtare verifikimi lidhur me dy këto pretendime dhe që të verifikojë çështjen e shpërblimit me pagesë dhe saktësisë së deklarimit të pasurisë, si dhe të konstatojë shkeljet eventuale dhe të ndërmarrë masat përkatëse ligjore.

Ndryshe, para raportimit të këtij rasti në APK, IKD ka dërguar pyetje me shkrim tek ish-deputeti Sokoli.

I njëjti përmes përgjigjeve kishte deklaruar se me rastin e marrjes së mandatit të deputetit ka qenë i kujdesshëm në shqyrtimin e çdo mundësie për konflikt interesi.

Sokoli ka deklaruar se në këtë drejtim, ka marrë opinion ligjor nga zyra e specializuar përkatëse, e cila sipas tij, ka analizuar nëse ushtrimi i funksionit të trajnerit në një klub futbolli në një organizatë jo-qeveritare ose entitet privat paraqet konflikt interesi me pozitën e deputetit.

Në përgjigjen e tij theksohet se:

“Bazuar në opinionin ligjor dhe në dispozitat përkatëse të Ligjit Nr. 08/L-277 për Sport (tutje referuar si “Ligji për Sport”), në nenin 3, paragrafi 2, përcaktohet se “personat që marrin pjesë në veprimtari sportive janë personat fizikë dhe juridikë”, ndërsa në nën paragrafin 1.4 të po këtij neni theksohet se “personi që kryen punë profesionale në sport është trajneri, instruktori, personi zyrtar që organizon dhe udhëheq garë sportive dhe personat tjerë zyrtarë sipas akteve përkatëse të organizatave sportive”. Në nenin 9, paragrafi 1 të këtij ligji përcaktohet qartë se “trajner është personi i cili përgatit dhe udhëheq sportistin në garë të sportit të organizuar”, duke sqaruar kështu natyrën profesionale të këtij funksioni . Ndërsa, në nenin 16 parasheh se “personat e tjerë që kryejnë punë profesionale në sport ushtrojnë veprimtarinë e tyre sportive në bazë të marrëveshjes me organizatën sportive, sipas legjislacionit në fuqi dhe rregullave të federatës përkatëse”.

Më tej, në këtë përgjigje thuhet se në përputhje me këto dispozita, angazhimi si trajner sportiv nuk përbën marrëdhënie të rregullt pune me kohë të plotë, por marrëdhënie të veçantë të rregulluar me Ligjin për Sport, i cili sipas tij, e njeh ushtrimin e veprimtarisë së trajnerit si aktivitet profesional brenda fushës së sportit, dhe jo si punësim i rregullt.

Përkatësisht, neni 16 i Ligjit për Sport përcakton se personat që angazhohen të kryejnë punë profesionale në sport (përfshirë trajnerët) e ushtrojnë veprimtarinë në bazë të marrëveshjeve me organizatat sportive, sipas legjislacionit përkatës dhe rregullave të federatës përkatëse”, thuhet tutje në këtë përgjigje.

Derisa, ka theksuar se në rastin konkret, angazhimi i tij me Klubin Futbollistik “Drenica” është angazhim me kohë të pjesshme, i kufizuar në ushtrimin e detyrës së trajnerit, pa marrëdhënie të rregullt pune me orar të plotë, dhe në përputhje të plotë me dispozitat e Ligjit për Sport dhe dispozitat tjera të aplikueshme në Kosovë.

Ndërsa, lidhur me atë se kujt i referohet si “zyra e specializuar përkatëse”, ish-deputeti Sokoli nuk është përgjigjur.

Të ngjashme