“Ndërmarrja kryesore e prodhimit të gurëve të mullirit quhej ‘Kosovari’ me seli në Boletin”, shkruhet në raportin e përgjithësuar për Mitrovicën në vitet e fundit të pushtetit osman. Po aty shkruhet edhe për “Zdrukthëtarinë Draga”, si ndërmarrja më e madhe tregtare e asaj kohe në këtë krahinë. “Pas ngritjes së hekurudhës, drutë e ‘Zdrukthëtarisë Draga’ arritën në Stamboll, por më së shumti u shitën në Serrez, Dramë, Selanik dhe Kavallë”, shkruhet në raport që përshkruan edhe mbylljen e saj. Në këtë pjesë shpalosen edhe faktet për gjendjen edhe më e rënduar në Mitrovicën e viteve 1913 – 1914
Raporti i përgjithësuar kushtuar gjendjes ekonomike, gjendjes së zejeve, zejtarisë shtëpiake, industrisë… paraqet imazhet e fundit të Mitrovicës në vitet e fundit të pushtetit osman.
Natyrisht se zhvillimi i zejtarisë në Mitrovicën e viteve të para të okupimit të Kosovës, varej edhe nga zhvillimi i përgjithshëm në radhë të parë i ekonomisë por edhe i tregtisë. Megjithatë njëra prej pengesave kryesore, sipas raportit, ishte se zanatlinjtë e Mitrovicës nuk e dinin serbishten. Ndërsa në lidhje me industrinë shtëpiake vlerësohet se më e njohura është ajo e prodhimit të gurëve të mullirit.
“Ndërmarrja kryesore e prodhimit të gurëve të mullirit quhej ‘Kosovari’ me seli në Boletin. Këtë punë e bënin banorët e fshatrave Boletin, Rudarë, Graboc, Bugariq, Zhazhë, Rahovë, Stan Tërg, Saqenicë, Borçan. Janë rreth 200 punëtorë, të cilët më parë paguanin taksa në seksionin e pylltarisë turke, por më pas Isa Boletini e mori mbi vete prodhimin e gurëve të mullirit. Këta gurë të gatshëm për përdorim, eksportohen në Serbi, Sanxhak, rajonin e Dukagjinit, Gjakovës, por edhe në Maqedoni. Vlera e eksportit të gurëve arrin shumën prej 70 000 – 80 000 dinarëve në vit. Gurët e diametrit prej një metri, pra në çift shiteshin me çmim 80 dinarë, 20-40 dinarë të diametrit të mesëm dhe me çmimin 10 dinarë shitej çifti i gurëve që mund t’i bartte një kalë, pra që vendoseshin në të dy anët e samarit. Prej ndërmarrjeve industriale është edhe “Zdrukthëtaria Draga”, që njëkohësisht është edhe ndërmarrja më e madhe tregtare në këtë krahinë. Zdrukthëtaria është ngritur para katër vjetëve, dhe sipas kontratës ekzistuese me shtetin e Turqisë, ajo është në pronësi të familjes Draga, ndërsa vetëm një pjesë e vogël është në duart e një gjermani nga qyteti i Koblenzit. Para kësaj, zdrukthëtaria ishte pronë e një shoqërie, që ishte themeluar para 15 vjetëve, por ajo u dogj dhe shoqëria në fjalë i humbi të gjitha asetet e saj. Më pastaj me qeverinë turke u arrit marrëveshja për ngritjen e një zdrukthëtarie moderne, duke u siguruar leja për prerjen e lisave të diametrit mbi 120 centimetra. (Ndalohej prerja e lisave që ishin më të hollë sesa masa e mësipërme). Sipas marrëveshjes, një metër kub dru pa lëvore do të kushtonte 11 grosh, por në të përfshihej edhe importi falas i makinerive. Në rast se pronarët nuk do të mund të konkurronin, atëherë qeveria turke ishte zotuar ta ulte tarifën. Pronarët e “Zdrukthëtarisë Draga” paguanin taksë vjetore në vlerë 3 000 groshëve”, shkruhet në raport. Ai vazhdon edhe me shkatërrimin e saj.
Lufta e Parë Ballkanike dhe shkatërrimi i “Zdrukthëtarisë Draga” në Mitrovicë
“Zdrukthëtaria (punishtja e dërrasave) moderne që u ngrit në bregun e Ibrit, i kishte dy motorë me avull, dy kazanë, dy oxhakë të lartësisë 27,50 dhe 25,50 metra… Pranë zdrukthëtarisë është ngritur edhe një punishte e vogël për riparime me një zdrukth, dy shpuese dhe vegëltorja, por aty është edhe një mulli i vogël që bluan për punëtorët.
Për nevoja të zdrukthëtarisë janë ndërtuar nëntë kilometra hekurudhë malore me lokomotivën prej 60 kuaj-fuqi. Ndërkaq në malin e Mojstirit dhe në Dragë, ka filluar ngritja e dhjetë kilometrave të hekurudhës ajrore, më pastaj në mal funksionon edhe linja telefonike. Gjatë luftës së fundit, makina në mal u dogj, ndërsa tani problem më vete paraqet kompleksi pyjor, mbi të cilin ‘Zdrukthëtaria Draga’ e kishte fituar të drejtën nga qeveria turke, sepse kompleksi pyjor tani i përket Malit të Zi, dhe në të ka reth 1, 5 – 2 milionë metër kub dru. Vëllezërit Draga, pohojnë se e kanë në pronësi Malin e Mojstirit, që i ka rreth 200.000 mijë metra kub dru… Pas ngritjes së hekurudhës, drutë e ‘Zdrukthëtarisë Draga’ arritën në Stamboll, por më së shumti u shitën në Serrez, Dramë, Selanik dhe Kavallë, sepse çmimet ishin më të volitshme bile edhe druri eksportohej në Shkup. Gjatë luftës (ballkanike), hekurudha në mal u shkatërrua, më pastaj malet pjesërisht mbetën në anën malazeze dhe kështu ‘Zdrukthëtaria Draga’ tani nuk punon. Që kjo zdrukthëtari të futet në funksion si në interes të pronarit, ashtu edhe në interes të qytetit të Mitrovicës dhe industrisë së ndërtimit, është e nevojshme të ndihmohet rregullimi i çështjes së pronësisë së pyjeve me Malin e Zi dhe të lejohet importi falas i lisave të trashë nga Mali i Zi, qoftë me bashkim doganor apo përjashtim nga tarifa doganore. Ky interes njëkohësisht është edhe interesi i industrisë së ndërtimit dhe industrive të caktuara edhe në ‘rajonet e vjetra’, sepse përveç Dragës dhe Mojstirit do të eksploatoheshin edhe vendet përgjatë Tarës, të cilat do ta shfrytëzonin grykën Tarë-Drinë për të çuar lëndën e drurit në Savë dhe Danub, më tej në Beran, Bjello Pole, Pejë, Plavë dhe Guci, në rrethinat e të cilave gjenden objekte të rëndësishme pyjore. Më pastaj që ‘Zdrukthëtaria Draga’ të ia dalë t’i ruajë vendet e mëparshme të eksportit, është e nevojshme të arrihet një marrëveshje doganore me Greqinë, e cila do ta mundësonte qarkullimin e mëparshëm nga rajonet që tashmë i ka fituar, aq më lehtë që grekët nuk e kanë të zhvilluar industrinë e drurit në vendin e tyre. Por, pikë së pari duhet të bëhet kompensimi i dëmeve që ushtria jonë ia ka shkaktuar ‘Zdrukthëtarisë Draga’”, përfundon raporti.
Megjithatë nuk duhet harruar se shteti i Serbisë, qysh moti e kishte në shënjestër familjen Draga pasi “të bijtë e Ali Dragës nga Mojstiri e konsideronin Kosovën si pjesë të ‘Shqipërisë së vjetër’”. Kështu ishte ritheksuar në një raport të konsullit serb, dërguar nga kryeqendra bullgare Sofja qysh në vjeshtën e vitit 1905. Edhe pse “Zdrukthëtaria Draga” sërish e filloi punën në vitin 1914, megjithatë ajo nuk punoi me kapacitet të plotë, sepse konteksti rreth pronësisë mbi pyjet që pas vitit 1912 i takuan Malit të Zi, ngeli i pazgjidhur.
Gjendja edhe më e rënduar në Mitrovicën e viteve 1913 – 1914
Pas incidenteve me konsullin Tahy, menjëherë pas vendosjes së pushtetit ushtarak në Mitrovicë dhe me një ndërprerje të shkurtër të veprimtarisë, konsullata austro-hungareze në Mitrovicë sërish e nisi punën. Konsulli i radhës ishte Josef Umlauf (1880-?). Përveç tjerash, në raportet e Umlaufit afrohen të dhëna rrëqethëse mbi gjendjen në Mitrovicë dhe rrethinë, sidomos në vjeshtën e vitit 1913 dhe pranverën e hershme të vitit 1914.
Kështu më 6 dhe 7 shtator të vitit 1913 pas përleshjeve me forcat serbe, vatrat e tyre i lëshuan rreth 100 shqiptarë midis tyre edhe familjarët e Isa Boletinit. Vala tjetër e braktisjes së vatrave nga ana e shqiptarëve ngjau në ditët në vijim nga 8 – 14 shtator, me ç’rast burrat shqiptarë u larguan nga Koshtova, Selanca etj. Sipas konsullit austro-hungarez, serbi vendas Mihalçev i respektuar edhe në mesin e shqiptarëve, e ngriti zërin për padrejtësitë e pushtetit ndaj shqiptarëve vendorë. Sipas Mihalçevit “serbët mezi që përbëjnë 30 për qind të popullsisë së përgjithshme dhe së dyti, falë veprimeve të autoriteteve dhe përkrahjes që serbët (lokalë) ua afrojnë elementeve çetnike e bandave të ndryshme, serbët lokalë nuk ka qenë kurrë më të urryer nga ana e shqiptarëve sesa tani”. Pasojë e valës së dytë të braktisjes të vatrave nga ana e shqiptarëve ishin luftimet e zhvilluara në perëndim të Mitrovicës, ku u dëgjuan edhe të shtëna nga topat më datën 8 dhe 9 shtator. Largimi i mitrovicasve drejt viseve tjera të Kosovës por edhe Shqipërisë vazhdoi gjatë gjithë muajit shtator të vitit 1913. Natën midis 12 dhe 13 shtator nga rrethi i Mitrovicës dhe nga Drenica u larguan rreth 200 shqiptarë. Dy ditë më vonë administratori serb i Mitrovicës qëndroi në Zhabarë, Koshtovë dhe Brabaniq dhe kërkoi prej pleqve të këtyre fshatrave që të ndikonin në kthimin e të zhvendosurve, duke i kërcënuar se do t’ua shkatërronte shtëpitë atyre që nuk kthehen, ndërsa në kthim në Brabaniq ushtarët serbë i burgosën 8 shqiptarë.
Mbyllja e konsullatës ruse në janarin e vitit 1914
Duke qenë të bindur se tashmë Serbia ishte e zoja e situatës në Kosovë qeveria ruse në janar të vitit 1914 e mbylli konsullatën ruse.
“Ditë më parë u mbyll Konsullata ruse në Mitrovicë në Kosovë, e cila ishte hapur 11 vjet më parë për të mbrojtur popullsinë serbe. Konsulli i parë rus në Mitrovicë, Shçerbina, e pagoi këtë me kokën e tij”, thuhet në një informacion të shkurtër të gazetës novosadase “Zastava” të datës 21 janar 1914.
Në anën tjetër nën trysninë ndërkombëtare në pranverën e vitit 1914, pushteti serb ndërmori hapa drejt organizmit të kthimit të refugjatëve të viseve të Mitrovicës, që kryesisht ishin të vendosur në Shqipëri. Por, urrejtja që ky pushtet e kishte mbjell; midis serbëve mitrovicas, tashmë kishte nisur të lëshonte rrënjë edhe më tepër. Aksionin e ndërmarrë të pushtetit për kthimin e shqiptarëve, serbët mitrovicas e pritën me marshimin e tyre drejt Xhamisë së Saraj Mëhallës në natën midis 18 e 19 marsit 1914, me ç’rast ata i lyen dyert e kësaj xhamie me yndyrë derri.
Të shqetësuar për gjendjen e rëndë të hebrenjve në Kosovën e okupuar, në janar të vitit 1913, Unioni i Shoqërive Izraelite me seli në Berlin e dërgoi një delegacion për t’u njohur më për së afërmi me situatën e hebrenjve dhe komuniteteve hebraike në Ballkan. Në atë delegacion bënin pjesë udhëheqësit e njohur hebrenj të asaj kohe si Dr. Paul Nathan e Dr. Bernard Kahn nga Berlini dhe Elkan Adler nga Londra. Pas vizitave ata paraqitën një raport të detajuar në mënyrë që ndihma emergjente t’u dërgohej atyre që ishin në rrezik. Në korrik të vitit 1913, raporti i tyre u botua në Berlin me titullin “Bericht über das Balkanhilfsëerk”. Në atë raport thuhet se në Prishtinë me rreth 10 000 banorë jetonin gjithsej 452 hebrenj, ndërsa në Mitrovicë midis 5000 banorëve sa i kishte kjo qendër 50 prej tyre ishin hebrenj.Koha.net